Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton Aktin normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020”; si dhe Aktin Normativ “Për një ndryshim në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar

  • Postuar më, 31/03/2020

31 mars 2020

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e Kryetares, znj.Milva Ekonomi dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e realizuar nëpërmjet sistemit online Cisco Webex, Aktin normativ nr.6, datë 21.3.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020”; si dhe Aktin Normativ nr.10, datë 26.3.2020  “Për një ndryshim në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.

Të dy këto Akte normative janë propozuar nga Këshilli i Ministrave, në kushtet e përhapjes së pandemisë globale të virusit COVID-19, e cila goditi jo vetëm shëndetin e popullsisë, por edhe ekonominë e vendit tonë, ashtu si edhe ekonominë botërore. Pandemia shëndetësore është goditja e dytë që pësoi ekonomia e vendit brenda disa muajve, pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Relatori i Aktit normativ nr.6, datë 21.3.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020”, deputeti socialist z. Anastas Angjeli, theksoi se ndryshimi i buxhetit të vitit 2020 u bë i nevojshëm për të zbutur ndikimin negativ të pandemisë COVID-19 tek biznesi dhe qytetarët. Ai vlerësoi rëndësinë e ndryshimeve buxhetore të parashikuara në Aktin normativ, të cilat konsistojnë si më poshtë:

Së pari, alokohet një paketë financiare prej 12 miliardë lekësh për përballimin e situatës emergjente, të krijuar nga Pandemia COVID-19. Kjo paketë financiare detajohet në:

-          6.5 miliardë lekë janë lehtësime dhe mbështetje për punëmarrësit dhe qytetarët e prekur nga pezullimi i punës;

-          2.5 miliardë lekë rriten shpenzimet për sektorin e shëndetësisë për furnizimin me pajisje, medikamente, materiale e shërbime mjekësore dhe për mbështetjen e stafeve mjekësore;

-          2 miliardë lekë janë për mbështetje, ndihmë dhe furnizim me ushqime për familjet dhe pensionistët në nevojë;

-          1 miliardë lekë rritet fondi rezervë për shpenzime të paparashikuara.

Së dyti, reflektohet në të ardhurat e buxhetit, efekti i pritshëm i masave të ndërmarra për kufizimin e ndikimit të pandemisë shëndetësore.

Së treti, treguesit kryesorë makroekonomikë, për vitin 2020, parashikohet të ndryshohen, e më konkretisht: Rritja reale e PBB parashikohet të jetë 2 për qind, nga 4.1 për qind e parashikuar në fillim të vitit;

-          Rritja nominale e PBB parashikohet të jetë 3.1 për qind, nga 5.2 për qind e parashikuar në fillim të vitit;

-          Deficiti buxhetor pritet të jetë 3.9 për qind e PBB, nga 2.2 për qind e PBB i parashikuar në fillim të vitit;

-          Borxhi publik pritet të jetë 68.8 për qind e PBB, nga 65.4 për qind e PBB i parashikuar në fillim të vitit.

Përveç sa më sipër, bëhet një përmirësim i procedurave të përdorimit të fondeve të pushtetit vendor,  si dhe krijohet mundësia që biznesi të marrë kredi afatshkurtra, në bankë, për të paguar pagat e punonjësve, nëpërmjet instrumentit të garancisë sovrane.

Gjithashtu, relatori theksoi se krahas ndryshimeve të parashikuara në këtë Akt normativ, Këshilli i Ministrave dhe Banka e Shqipërisë kanë ndërmarrë edhe masa të tjera në ndihmë të biznesit, si shtyrja e afatit të pagimit të kësteve të kredive dhe detyrimeve tatimore, shtyrja e afatit të dorëzimit të bilanceve nga bizneset, etj. Banka e Shqipërisë ka lehtësuar më tej qëndrimin e politikës monetare, nëpërmjet reduktimit të normës bazë të interesit nga 1 për qind në 0.5 për qind, si dhe reduktimit të normës së interesit për kredinë njëditore, për të stimuluar rritjen e kreditimit dhe të konsumit. Të gjitha këto masa fiskale e monetare do të ndikojnë në zbutjen e impaktit negativ të pandemisë COVID-19 në vendin tonë.

Ndërsa relatorja e Aktit Normativ nr. 10 datë 26.03.2020  “Për një ndryshim në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar", deputetja socialiste znj. Evis Kushi, e vlerësoi atë si një akt mjaft të rëndësishëm për zbutjen e pasojave të pandemisë. Ajo theksoi se Akti normativ shtyn afatet e deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi fitimin, për vitin 2020, me qëllim mbështetjen e tatimpaguesve për përmbushjen e detyrimeve tatimore. Relatorja vlerësoi risitë e Aktit normativ: 1) Shtyhet afati i dorëzimit të bilancit kontabël deri më 31 korrik 2020; 2)Për tatimpaguesit me qarkullim deri në 14 milionë lekë: shtyhet afati i pagesës së tatimit të llogaritur në bazë të deklaratës vjetore të të ardhurave të tatueshme, i cili bëhet brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020; si dhe shtyhet afati i parapagesës së kësteve 3-mujore të tatim-fitimit për çdo tremujor të vitit 2020, i cili bëhet brenda datës 31 dhjetor 2020.

Në përfundim të diskutimeve, Komisioni miratoi në parim dhe në tërësi të dy Aktet normative të Këshillit të Ministrave.

 

 


Share