Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi e miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 06/04/2020

Komisioni për Politikën e Jashtme, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi sot dy projektligje: "Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA CBC Shqipëri-Kosovë alokimet e vitit 2018" dhe projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike". Marrëveshjet e ardhura si propozim i Këshillit të Ministrave u prezantuan në mbledhjen e sotme nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj dhe dy zëvendësministra, përkatësisht z. Sokol Dedja nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe znj. Bardhylka Kospiri nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Përfaqësuesit e lartë të ministrive prezantuan projektligjet dhe qëllimet kryesore të tyre, ndërsa deputetët kërkuan informacion më të detajuar nga përfaqësuesit e qeverisë në lidhje me zonat dhe sektorët, që përfitojnë nga fondet IPA. Në fazën e diskutimeve, kryetarja e komisionit, znj. Kodheli propozoi që gjatë zbatimit të marrëveshjeve të merren parasysh rrethanat e ndryshuara kohore, për shkak të pandemisë, dhe të mirëpërcaktohen kategoritë, që do të përfitojnë prej marrëveshjeve në fjalë. Znj. Kodheli propozoi, që përfitimet që rrjedhin nga marrëveshjet, të kenë efekte të menjëhershme për zonat që përfitojnë nga fondet IPA, si dhe për kategorinë “gender”, sa i takon marrëveshjes me BERZH.

Komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi të dyja projektligjet. Mbledhja e komisionit u zhvillua  online nëpërmjet platformës elektronike “Cisco Webex”.


Share