Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi rrëzimin e dy Dekreteve të Presidentit dhe dy projektligje

  • Postuar më, 07/04/2020

7 prill 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dy Dekretet e Presidentit të Republikës, lidhur me kthimin për rishqyrtim të dy ligjeve të miratuara më herët nga Kuvendi.

Rendi i ditës nisi me shqyrtimin e Dekretit nr. 11.456, datë 26.03.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 1, datë 31.01.2020 të Këshillit të Ministrave “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, ku relator ishte deputeti Adnor Shameti. Gjatë relatimit të tij, z. Shameti, theksoi sei akti normativ gjendet i harmonizuar dhe nuk krijon mbivendosje me legjislacionin vendas që parashikon masa parandaluese të marra nga organet administrative në rastet e përcaktuara në ligj.

Sipas tij argumenti është i pabazuar dhe nuk gjen justifikim juridik dhe faktik. Komiteti Kombëtar i Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar ka rol koordinues të veprimtarisë për hartimin, monitorimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e masave parandaluese, të parashikuara në këtë akt normativ, si dhe është krijuar për qëllim të shkëmbimit të informacionit e të forcimit të bashkëpunimit me autoritetet e huaja ligjzbatuese, gjatë kohës dhe për efekt të zbatimit të këtij akti normativ. Në asnjë rast, nuk preket pavarësia dhe panshmëria e Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, gjatë ushtrimit të detyrave kushtetuese dhe ligjore që lidhet me ushtrimin e ndjekjes penale.

Në lidhje me pretendimin për cënimin e së drejtës së pronës, z.Shameti nënvizoi se neni 1 i Protokollit 1 të KEDNJ-së përcakton se askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.

Në përfundim të diskutimeve Komisioni rrëzoi dekretin me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Më tej mbledhja vijoi me shqyrtimin e Dekretit nr. 11.457, datë 26.03.2020 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

Bashkërelatorja deputetja Klotilda Bushka nënvizoi se, ligji nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, për shkak të rëndësisë, kompleksitetit dhe ndjeshmërisë së tij, pas paraqitjes së opinionit të Komisionit të Venecias, i është nënshtruar një procesi të gjatë analize, vlerësimi, diskutimi dhe konsultimi për të sjellë një ligj, që jo vetëm të adresojë problematikat e pronësisë në vendin tonë, prej gati 3 dekadash, por edhe të jetë në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias, jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese. 

Znj.Bushka theksoi se në këtë proces Kuvendi i Shqipërisë është asistuar nga ekspertët të Këshillit të Evropës në bashkëpunim edhe me një eksperte të Delegacionit të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Mbështetje e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Shqipëri”, e financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Europës. Grupi i ekspertëve të Këshillit të Europës është drejtuar nga eksperti ndërkombëtar z. Filippo Fontanelli (njëkohësisht një nga ekpertët që ka përgatitur opinionin e Komisionit të Venecias) i cili së bashku me një grup ekspertësh vendas kanë dhënë opinione shumë të vlefshme lidhur përmirësimin e mëtejshëm të projektligjit dhe reflektimit të opinionit të Komisionit të Venecias, të cilat gjejnë pasqyrim në përmbajtjen e këtij ligji. 

Në përfundim të diskutimeve Komisioni rrëzoi dekretin me votat të gjithë anëtarët e pranishëm në mbledhje.

Më tej mbledhja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vijoi me shqyrtimin e dy projektligjeve, për të cilat komisioni është në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi. 

Gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike”, relatori z.Bashkim Fino, veçoi se nëpërmjet këtij projektligji synohet ratifikimi i marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike, në shumën 9 100 000 (nëntë milionë e njëqind mijë) euro.

Ky financim do të mbështesë programin e qeverisë shqiptare për përmirësimin e barazisë gjinore, në qasjen ndaj mundësive ekonomike për gratë, përmes njohjes së pronësisë së gruas në pasuritë e paluajtshme, krijimit të mundësive për to në aktivitete që gjenerojnë të ardhura, si dhe forcimit të politikave mbi barazinë gjinore. 

Më tej u vijua me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA CBC Shqipëri - Kosovë alokimet e vitit 2018”.

Relatorja e këtij projektligji deputetja Elena Xhina, bëri me dije se ky projekligj ka për qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik të zonave ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe të rrisë bashkëpunimin midis dy vendeve nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta. Ky program mbështet, gjithashtu, shkëmbimin e eksperiencës dhe njohurive midis përfituesve si dhe përmirësimin e politikave publike mes autoriteteve kombëtare, rajonale dhe lokale në zonën e programit.

Në përfundim të diskutimeve Komisioni i miratoi në parim dhe në tërësi të dy projektligjet në fjalë.

Mbledhja e komisionit u zhvillua  online nëpërmjet platformës elektronike “Cisco Webex”. 



Share