Komisioni për Integrimin Europian miratoi Aktin normativ nr.12, “Për një shtesë në Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar

  • Postuar më, 07/04/2020

7 prill 2020

Komisioni për Integrimin Europian, nën drejtimin e kryetares Rudina Hajdari dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e realizuar nëpërmjet sistemit online Cisco Webex,  Aktin normativ nr.12, datë 02.04.2020 “Për një shtesë në Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar.

Qëllimi i këtij Akti normativ është forcimi i masave për të siguruar zbatimin e rregullave, të vendimeve, të urdhrave dhe të udhëzimeve të nxjerra nga organet kompetente, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Nëpërmjet tij synohet që njësive të vetëqeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë t’iu jepet mundësia që në kuadër të marrjes së masave gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, mund të bëjnë amendime të kontratave që kanë me operatorët e pastrimit dhe operatorët e transportit publik për ofrimin e këtyre shërbimeve, sipas nevojave të diktuara nga situata emergjente

Kryetarja e komisionit, znj. Hajdari u shpreh se siç edhe theksohet në relacionin shoqërues të aktit , është shumë e rëndësishme mbajtja pastër e qyteteve dhe funksionimi sa më i mirë i shërbimit të pastrimit si masë për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19. Në kuadër të këtij Akti normativ njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të amendojnë kontratat për t’iu kërkuar operatorëve që e ofrojnë këtë shërbim të shtojnë frekuencën e pastrimit të qytetit dhe dezinfektimin e vendgrumbullimeve të mbetjeve urbane. Znj.Hajdari vlerësoi faktin që këto ndryshime kanë të bëjnë vetëm me situatën e shkaktuar nga pandemia dhe u kërkoi organeve të qeverisjes vendore, që në zbatimin e këtij akti dhe akteve të tjera të mbahen parasysh parimet ndërkombëtare për transparencën dhe konkurrencës së  ndershme.

Në përfundim të diskutimeve Komisioni miratoi në parim dhe në tërësi Aktin normativ të Këshillit të Ministrave me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.


Share