Struktura Kryetari Zëvendëskryetarët Byroja e kuvendit Grupet parlamentare

Byroja e Kuvendit

Byroja e Kuvendit është organi vendimmarrës për aspektin administrativ dhe financiar të Kuvendit dhe organeve të tij. Byroja garanton respektimin e parimeve të pavarësisë organizative, funksionale dhe financiare të Kuvendit si institucioni më i lartë përfaqësues e ligjvënës dhe që bazohet në parimin e ndarjes e të balancimit të pushteteve. 

Byroja e Kuvendit përbëhet nga Kryetari i Kuvendit, zëvendëskryetarët, sekretarët e sekretariateve dhe drejtohet nga Kryetari i Kuvendit. Përbërja e Byrosë së Kuvendit pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Një zëvendëskryetar duhet t’i përkasë partisë më të madhe të opozitës parlamentare. Byroja është organi që vendos për:

a) buxhetin e Kuvendit, sipas propozimit të bërë nga sekretarët për buxhetin dhe e përcjell atë në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, për ta miratuar më pas në Kuvend;

b) ankimet në rastet e konstituimit të grupeve parlamentare;

c) ankesat e grupeve parlamentare për përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Byroja e Kuvendit, në zbatim të kuadrit ligjor dhe në përmbushje të garantimit të pavarësisë organizative, funksionale dhe financiare, harton rregulla të detajuara për:

a) pjesëmarrjen e deputetëve në veprimtaritë parlamentare;

b) trajtimin financiar të  deputetëve dhe organeve të tij në përputhje me statusin ligjor të tyre;

c) mënyrën e funksionimit të sekretariateve të Kuvendit;

ç) statusin ligjor, trajtimin ekonomik dhe kriteret e punësimit të administratës së Kuvendit;

d) organizimin e strukturës së shërbimeve të administratës, sipas funksioneve kushtetuese që Kuvendi ushtron.

Byroja e Kuvendit shqyrton dhe vendos për ankimin ndaj masave disiplinore të parashikuara në këtë Rregullore dhe për shkeljet e Kodit të Sjelljes, të dhëna nga drejtuesi i seancës ose mbledhjes së komisionit apo nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën.

 

Përbërja aktuale është si vijon: Gramoz Ruçi - Kryetar Kuvendi (grupi parlamentar PS), Vasilika Hysi - Zëvendëskryetare Kuvendi (grupi parlamentar PS),  Myslim Murrizi - Zëvendëskryetar Kuvendi (grupi parlamentar demokrat), Anastas Angjeli - Sekretar për Buxhetin (grupi parlamentar PS), Alban Zeneli - Sekretar për Buxhetin (grupi parlamentar demokrat), Alket Hyseni - Sekretar për Procedurat, Votimet dhe Etikën (grupi parlamentar PS), Besnik Baraj - Sekretar për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën e Botimet Parlamentare (grupi parlamentar PS), Ervin Bushati - Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë (grupi parlamentar PS, Nimet Musaj - Sekretar për Statusin e Deputetit (grupi parlamentar i pavarur), Vilma Bello - Sekretare për Teknollogjinë e Informacionit (grupi parlamentar PS).