Sekretariati për Buxhetin

Sekretariati për Buxhetin përbëhet nga 5 deputetë. Përbërja miratohet nga Kuvendi me votim të hapur me propozim të Kryetarit të Kuvendit, pas këshillimeve me kryetarët e grupeve parlamentare. Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit drejtohet nga dy sekretarët për buxhetin, të cilët përfaqësojnë grupet politike të shumicës dhe të opozitës parlamentare. Ata drejtojnë kolegjialisht Sekretariatin dhe informojnë rregullisht Kryetarin dhe Byronë e Kuvendit për veprimtarinë e sekretariatit përkatës. Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit mblidhet të paktën një herë në tre muaj. Sekretariati mblidhet edhe me kërkesë të njërit prej sekretarëve të tij, Byrosë së Kuvendit ose të Sekretarit të Përgjithshëm për të shqyrtuar një çështje të caktuar, që ka lidhje me mënyrën e administrimit të buxhetit të Kuvendit. Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit, në bashkëpunim me Sekretarin e Përgjithshëm, ndjek dhe mbikëqyr të gjitha procedurat e hartimit të projektbuxhetit vjetor dhe afatmesëm të Kuvendit që në fazën fillestare të tij e deri në propozimin e tij në Byronë e Kuvendit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Pas miratimit nga Byroja e Kuvendit, Sekretariati për Buxhetin, gjatë shqyrtimit të projektligjit të Buxhetit të Shtetit, paraqet në Komisionin për Ekonominë dhe Financat raportin e vlerësimit të projektbuxhetit vjetor të Kuvendit. Sekretariati, në bashkëpunim me Sekretarin e Përgjithshëm, kujdeset edhe për administrimin e veprimtarisë së Kuvendit, në përputhje me buxhetin e Kuvendit. Ai shqyrton buxhetin faktik të Kuvendit, lidhur me realizimin e tij gjatë vitit të mëparshëm financiar si dhe raporton çdo gjashtë muaj në Byronë e Kuvendit për zbatimin e buxhetit të Kuvendit. Përbërja është si vijon: Anastas Angjeli – Sekretar për Buxhetin (PS), Florion Mima – Sekretar për Buxhetin (PD), Evis Kushi – anëtare (PS), Blerina Gjylameti – anëtare (PS).