Nënkomisioni për Qeverisjen Vendore

Në përbërje të komisioneve të përhershme, me propozimin e Konferencës së Kryetarëve, mund të ngrihen edhe nënkomisione për probleme të veçanta. Anëtarët e nënkomisioneve, së bashku me kryesitë e tyre, zgjidhen me votim të hapur nga Kuvendi me propozimin e Konferencës së Kryetarëve, duke u mbështetur në listat e kandidatëve të hartuara në marrëveshjen e Kryetarit të Kuvendit me kryetarin e çdo grupi parlamentar. Kuvendi mund të ndryshojë përbërjen e nënkomisioneve, duke ruajtur përpjesëtimin që zënë grupet parlamentare në Kuvend. Për ndryshimin e numrit dhe të përbërjes së nënkomisioneve synohet arritja e mirëkuptimit mes grupeve parlamentare. Kryesia e nënkomisionit përbëhet nga kryetari dhe zëvendëskryetari. Në rast se kryetari mungon ose është në pamundësi të kryejë detyrat e tij, mbledhja drejtohet nga zëvendëskryetari që i përket shumicës parlamentare. Në mungesë të këtij të fundit, mbledhja drejtohet nga zëvendëskryetari që i përket grupit më të madh të pakicës parlamentare. Përcaktimi i përbërjes së kryesive të nënkomisioneve bëhet duke mbajtur parasysh përfaqësimin në to të grupeve parlamentare, sipas përpjestimit që zënë në Kuvend. Kuvendi me vendimin nr. 99/2017 ka ngritur nënkomisionin “Për Qeverisjen Vendore” në përbërje të komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Objekti dhe fusha e përgjegjësisë së këtij nënkomisioni është organizimi dhe funksionimi i pushtetit vendor. Përbërja është si vijon: Bashkim Fino – kryetar (PS), Oerd Bylykbashi – zëvendëskryetar (PD), Edmond Leka – anëtar (PS), Saimir Tahiri – anëtar (I pavarur), Klotilda Bushka (Ferhati) – anëtare (PS), Nasip Naço – anëtar (LSI), Dhurata Çupi – anëtare – (PD).