Struktura Kryetari Zëvendëskryetarët Byroja e kuvendit Grupet parlamentare

Nënkomisioni për monitorimin e zbatimit të buxhetit të shtetit dhe kontrollin e tij

Në përbërje të komisioneve të përhershme, me propozimin e Konferencës së Kryetarëve, mund të ngrihen edhe nënkomisione për probleme të veçanta. Anëtarët e nënkomisioneve, së bashku me kryesitë e tyre, zgjidhen me votim të hapur nga Kuvendi me propozimin e Konferencës së Kryetarëve, duke u mbështetur në listat e kandidatëve të hartuara në marrëveshjen e Kryetarit të Kuvendit me kryetarin e çdo grupi parlamentar. Kuvendi mund të ndryshojë përbërjen e nënkomisioneve, duke ruajtur përpjesëtimin që zënë grupet parlamentare në Kuvend. Për ndryshimin e numrit dhe të përbërjes së nënkomisioneve synohet arritja e mirëkuptimit mes grupeve parlamentare. Kryesia e nënkomisionit përbëhet nga kryetari dhe zëvendëskryetari. Në rast se kryetari mungon ose është në pamundësi të kryejë detyrat e tij, mbledhja drejtohet nga zëvendëskryetari që i përket shumicës parlamentare. Në mungesë të këtij të fundit, mbledhja drejtohet nga zëvendëskryetari që i përket grupit më të madh të pakicës parlamentare. Përcaktimi i përbërjes së kryesive të nënkomisioneve bëhet duke mbajtur parasysh përfaqësimin në to të grupeve parlamentare, sipas përpjestimit që zënë në Kuvend. Kuvendi me vendimin nr. 32/2020 ka ngritur nënkomisionin për monitorimin e zbatimit të buxhetit të shtetit dhe kontrollin e tij, në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Fusha e përgjegjësisë së këtij nënkomisioni është mbikëqyrja e zbatimit të buxhetit të shtetit dhe kontrolli e tij.

Nënkomisioni përbëhet nga 9 anëtarë të përhershëm si më poshtë: Ervin Bushati - Kryetar (grupi parlamentar PS), Edlira Hyseni - Zëvendëskryetar (grupi parlamentar "I Pavarur"), Anastas Angjeli - Anëtar (grupi parlamentar PS), Adnor Shameti - Anëtar (grupi parlamentar PS),Fadil Nasufi - Anëtar (grupi parlamentar PS), Ardit Konomi - Anëtar (grupi parlamentar PS), Halil Jakimi - Anëtar (grupi parlamentar Demokrat), Andi Përmeti - Anëtar (jashtë grupeve parlamentare), Edmond Rrushi - Anëtar (grupi parlametar "Demokraci dhe Drejtësi")