NJOFTIM PËR VEND PUNE

  • Postuar më, 08/10/2018

 

A. Pranimi në kategorinë e lartë drejtuese

Në zbatim të Ligjit nr.152/2013, datë 30.05.2013 “Për nëpunësin  civil”,  i ndryshuar,  Kreu VI – “Nëpunësit  të nivelit të lartë drejtues”, nenit 32 “Pranimi i nëpunësve civil të kategorisë të lartë drejtuese në institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore”, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.118, datë 05.03.2014 “Për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil, të nëpunësve civil të nivelit të lartë drejtues dhe anëtarëve të TND-së”, kreut  IV dhe VIII  , dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.388, datë 6.5.2015  “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin Nr.118, datë 5.3.2014 “Për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil, të nëpunësve civil të nivelit të lartë drejtues dhe anëtarëve të TND-së”, si edhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.242, datë 18.03.2015 “Për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese”, Kreut III, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, njofton se;

 

a)      Në Administratën e tij ka 1 (një) vend të lirë pune, në pozicionin  -“drejtor”, në Shërbimin e Monitorimit të Institucioneve që Raportojnë dhe Informojnë Kuvendin.

Kategoria e pagës II-a.

 

Përshkrimi i përgjithshëm i punës

·         Të sigurojë ushtrimin e  funksioneve të  kontrollit parlamentar mbi organet e pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj në bazë të normave e parimeve kushtetuese dhe legjislacionit në fuqi.

·         Të sigurojë në mënyrë efektive dhe efeciente drejtimin e punës së Shërbimit të Monitorimit në zbatim të ligjit “Statusi i nëpunësit civil”, Rregullores së Kuvendit dhe legjislacionit që ka lidhje me këtë shërbim, me qëllim realizimin e objektivave me efektivitet.

      Detyrat dhe përgjegjësitë kryesore       

·         Të sigurojë menaxhim efektiv të burimeve njerëzore dhe materiale për mbarëvajtjen e shërbimit.

·         Të sigurojë pjesëmarrjen e këshilltarëve në mbledhjet e komisioneve dhe në seancat plenare, gjatë së cilave shqyrtohen dhe miratohen projektligje dhe akte të tjera (vendime, rezoluta, deklarata) që kanë si objekt veprimtarinë e institucioneve të pavarura.

·         Të sigurojë përfaqësimin e shërbimit në të gjitha grupet e ngritura me urdhër të brendshëm të Kryetarit të Kuvendit apo sekretarit të Përgjithshëm.

·         Të informojë këshilltarët në varësi për objektivat e punës, si dhe për të gjitha çështjet e rëndësishme në administrimin e shërbimit.

·         Të sigurojë përgatitjen e vlerësimeve dhe analizave ligjore, si dhe dhënien e informacionit, Kuvendit, në lidhje me zbatimin e ligjit, në tërësi, në fushat ku shtrijnë veprimtarinë e tyre organet e monitoruara, sukseset dhe problemet që kanë dalë gjatë zbatimit të ligjit, boshllëkun legjislativ ose nevojën për ndryshime ligjore në ato fusha.

·         Të paraqesë tek Sekretari i Përgjithshëm, apo Kryetari i Kuvendit/Kryetarët e Komisioneve sipas kërkesës materialet e përgatitura për sa më sipër, si dhe të bashkërendojë me ta për zgjidhjen që kërkojnë problemet e konstatuara.

·         Të sigurojë bashkërendimin e punës me stafin e komisioneve në ndjekjen dhe mbështetjen e procedurave për emërim/zgjedhjen ose shkarkimin e funksionarëve të lartë të shtetit në kompetencë të Kuvendit.

·         Të hartojë në bashkëpunim me organet e Kuvendit, programin (kalendarin) lidhur me ushtrimin e kontrollit parlamentar tek institucionet e pavarura kushtetuese dhe institucionet e pavarura.

·         Të nxjerrë urdhra përkatëse brenda kompetencës së tij, të cilat duhet të zbatohen nga këshilltarët në varësi.

·         Të mbikëqyrë punën e këshilltarëve nëpërmjet informimit periodik javor, mujor dhe vjetor.

·         Të bashkëpunojë me të gjitha shërbimet e tjera të Kuvendit për plotësimin e detyrave në kuadër të monitorimit të veprimtarisë së organeve të pavarura dhe ushtrimit të funksionit të kontrollit parlamentar nga organet e Kuvendit.

·         Të mbajë lidhje të vazhdueshme me KLSH-në,  me Drejtorinë e Auditit të Brendshëm, si dhe institucione të tjera që ushtrojnë kontroll në fusha të veçanta, për të marrë prej tyre informacionin që u nevojitet organeve të Kuvendit  gjatë monitorimit të organeve të pavarura dhe ushtrimit të kontrollit parlamentar. 

·         Të kryejë vlerësimin e punës, duke respektuar ligjin “Për statusin e nëpunësit civil” për të gjithë stafin në varësi direkt të tij.

·         Të ndjekë, shpërndajë dhe të përgjigjet për të gjithë korrespondencën zyrtare të Kuvendit që kalon në këtë shërbim.

·         Të sigurojë bërjen transparente të veprimtarisë kontrolluese të organeve të Kuvendit.

·         Të informojë në mënyrë periodike Sekretarin e Përgjithshëm, si dhe për çështje të rëndësishme edhe Kryetarin e Kuvendit për gjithë veprimtarinë e shërbimit.

·         Të marrë vendime përfundimtare në përgjegjësinë e tij lidhur me drejtimin e punës në fushat të cilat ndjek.

·         Të ushtrojë, gjithashtu, dhe çdo kompetencë tjetër që i jepet nga eprorët në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

b)  Kërkesat e përgjithshme  për këtë vend pune janë;

-          Të jetë shtetas shqiptar.

-          Të ketë zotësi të plotë për të vepruar.

-          Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur.

-          Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.

-          Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë  për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.

-           Ndaj tij të mos jetë marrë  masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil, që nuk është shuar sipas këtij ligji

Marrëdhëniet organizative

Drejtori i Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura Kushtetuese dhe të Institucioneve të Pavarura raporton direkt te Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryetari i Kuvendit (sipas kërkesës). Drejtori i Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura Kushtetuese ka në varësi  6 këshilltarë të shërbimit.

 

c) Kërkesat e vendit të punës

·         Te ketë diplome universitare DND; DIND ose Bachelor + Master Shkencor, në jurisprudencë/ ekonomik;

·         Të ketë njohuri shumë të mira dhe eksperiencë profesionale mbi 5 vjet;

·         Te ketë aftësi analizuese dhe vlerësuese mbi legjislacionin;

·         Të ketë aftësi  shumë të mira komunikimi,  koordinimi dhe menaxhimi:

·         Të ketë aftësi të punojë në grup dhe të punojë ngushtësisht me shërbimet e tjera paralele;

·         Te zotëroje te paktën një gjuhë të BE.

 

 ç ) Kandidati duhet të dërgojë me postë ose dorazi, në Shërbimin e Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve të Kuvendit( Njësia Përgjegjëse), këto dokumenta:  letër motivimi  për aplikim në vendin vakant,; një kopje të jetëshkrimit( C.V ); fotokopje e diplomës- në se aplikanti disponon një diplomë të një universiteti të huaj, atëhere ai duhet ta ketë të njëhësuar atë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin; fotokopje e listës së notave- në se ka një diplomë dhe listë notash,  të ndryshme me vlerësimin e njohur në Shtetin Shqiptar, atëhere aplikanti duhet ta ketë të konvertuar atë sipas sistemit shqiptar; një fotokopje e librezës së punës e plotësuar; vërtetim i gjendjes gjyqësore; çertifikata të kualifikimeve, trajnimeve të ndryshme; fotokopje e letërnjoftimit, vendimi i statusit “nëpunës civil i nivelit të mesëm drejtues”, dëshmi penaliteti, raport për gjëndjen shëndetësore.

 

d) Pranimi i dokumentave do të bëhet deri në datën 07.11.2018

e) Në datën 09.11.2018 do të shpallet lista e vlerësimit paraprak të kandidatëve që do të vazhdojnë konkurimin, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të Kuvendit dhe në stendën e informimit të publikut. Këta do të jenë ata që plotësojnë  të gjitha kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta, të kërkuara më sipër.

Ankesat nga kandidatët paraqiten në Njësinë Përgjegjëse, brenda 5 ditëve pune nga shpallja e listës dhe ankuesi merr përgjigje brenda 2 ditëve pune nga data e depozitimit të saj.

 

ë )Në datën 16.11.2018 do të shpallet lista e rivlerësimit të kandidatëve që do të vazhdojnë konkurimin, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të Kuvendit dhe në stendën e informimit të publikut. Këta do të jenë ata që plotësojnë  të gjitha kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta, të kërkuara më sipër dhe ata të kualifikuar pas ankimimit.

 

f) Konkurimi-testimi me shkrim dhe intervista e strukturuar me gojë, do të bëhet në datën 07.12.2018, në mjediset e Kuvendit, në orën 10-00.

 

 g) Kandidatët do të vlerësohen nga Komiteti i Pranimit për Ngritjen në Detyrë, i ngritur pranë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Totali i pikëve të vlerësimit të kandidatit është 100, të cilat ndahen përkatësisht: vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve 10 pikë, që përfshin vlerësimin e arsimimit, eksperiencës dhe trajnimeve të lidhura me fushën si dhe vlerësimin e arritjeve vjetore; testimi me shkrim 40 pikë dhe intervista e strukturuar me gojë 50 pikë.

 

 

 h) Lista e kandidatëve me mbi 70 pikë ( mbi 70% të pikëve) do të shpallet në datën 11.12.2018

i)Njoftimi do të bëhet: në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të Kuvendit dhe në stendën e informimit të publikut, në datën 11.12.2018

Ankesat nga kandidatët, paraqiten në KPND, brenda 5 ditëve  nga shpallja e listës dhe ankuesi merr përgjigje brenda 5 ditëve nga data e depozitimit të saj.

 

k) Shpallja e fituesit do të bëhet në portalin“Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të Kuvendit dhe në stendën e informimit të publikut në datën 18.12.2018.

 

Për sqarime, mund të kontaktoni me numër telefoni 2278 270 dhe 2278 425 ose në adresën: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit’ nr.4,Tiranë.