Datat kryesore në procesin e integrimit europian të Shqipërisë

Datat kryesore në procesin e integrimit europian të Shqipërisë

24.06.2014: Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian vendosi unanimisht për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, i cili u miratua nga Këshilli Europian më 27 qershor 2014.
12.11.2013: Takimi i parë i Dialogut të Nivelit të Lartë BE–Shqipëri për prioritetet kyçe.
16.10.2013: Komisioni Europian i rekomandon Këshillit që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për në BE.
10.10.2012: Komisioni Europian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat me kusht kryerjen e reformës në sistemin gjyqësor dhe në administratën publike dhe rishikimin e Rregullores së Kuvendit.
15.12.2010: Hyn në fuqi regjimi i lëvizjes së lirë pa viza në hapësirën Shengen për qytetarët Shqiptarë të pajisur me pasaporta biometrike.
9.11.2010: Komisioni Europian publikon opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
3.05.2010: Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri zhvillon në Bruksel takimin e parë.
14.04.2010: Qeveria shqiptare dorëzon në Bruksel përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit Europian.
16.11.2009: Këshilli i Ministrave të BE-së miraton kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe fton Komisionin Europian të paraqesë një opinion për këtë kërkesë.
28.04.2009: Shqipëria dorëzon kërkesën zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Europian.
1.04.2009: Hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri.
18.02.2008: Miratohet vendimi i Këshillit mbi Partneritetin e rishikuar Europian për Shqipërinë.
1.12.2006: Hyn në fuqi Marrëveshja e Përkohshme për Tregtinë dhe Bashkëpunimin Tregtar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
6.09.2006: Parlamenti Europian voton pro rezolutës për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri, e cila i hapi rrugën ratifikimit të MSA-së nga 25 shtetet anëtare të BE-së.
27.07.2006: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ratifikon Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri dhe Marrëveshjen e Përkohshme për Tregtinë dhe Bashkëpunimin Tregtar.
12.06.2006: Në Luksemburg, në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme dhe Marrëdhënieve me Jashtë, nënshkruhet Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri dhe Marrëveshja e Përkohshme për Tregtinë dhe Bashkëpunimin Tregtar.
1.05.2006: Hyn në fuqi Marrëveshja e Ripranimit BE–Shqipëri.
1.06.2004: Këshilli miraton vendimin mbi Partneritetin e parë Europian për Shqipërinë.
21.06.2003: Këshilli Europian i Selanikut konfirmon Procesin e Stabilizim-Asocimit si politikë të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor. Konfirmohet perspektiva e anëtarësimit në BE për vendet pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asocimit (këto vende kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për anëtarësim në BE dhe, nëse përmbushin kushtet e anëtarësimit, mund të bëhen shtete anëtare të BE-së).
31.01.2003: Presidenti i Komisionit Europian Romano Prodi hap zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit mes BE dhe Shqipërisë.
21.10.2002: Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së miraton projektdirektivat për negocimin e MSA-së dhe vendos hapjen e negociatave për nënshkrimin e MSA-së me Shqipërinë.
Qershor 2001: Komisioni rekomandon ndërmarrjen e negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë. Këshilli Europian i Goteborgut ftoi Komisionin të prezantonte projektdirektivat për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Nëntor 2000: Takimi i nivelit të lartë i zhvilluar në Zagreb lançon Procesin e Stabilizim-Asocimit për 5 shtete të Europës Juglindore, përfshirë Shqipërinë.
Qershor 2000: Këshilli Europian i Feiras deklaron se të gjitha vendet pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asocimit janë kandidate potenciale për anëtarësim në BE.
Maj 2000: Komisioni Europian prezanton programin “Ndihma e Komunitetit për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim për periudhën 2000–2006” (CARDS), i projektuar posaçërisht për vendet pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asocimit.
Maj 1999: Bashkimi Europian propozon Procesin e Stabilizim-Asocimit për 5 shtete të Europës Juglindore, përfshirë Shqipërinë.
Prill 1997: Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian miratoi Përqasjen Rajonale për 5 shtete të Europës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, përmes së cilës BE-ja vendosi kushtet politike dhe ekonomike për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Maj 1992: Nënshkruhet Marrëveshja mbi Tregtinë dhe Bashkëpunimin Tregtar dhe Ekonomik mes Komunitetit Ekonomik Europian dhe Shqipërisë.
1991: Vendosen marrëdhëniet diplomatike Shqipëri–Komuniteti Ekonomik Europian.