Shkolla e Integrimit Europian 2019

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Delegacionin e Bashkimit Evropian Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung, organizoi raundin e katërt të Shkollës së Integrimit Europian në datat 18-22 Nëntor 2019 në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit dhe Shtëpisë së Europës.

Për të katërtin vit radhazi, Shkolla e Integrimit Europian synoi të identifikojë dhe angazhojë aktorë të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, duke krijuar një grup të konsoliduar ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit europian, të cilët mund të kontribuojnë në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE).

Shkolla e Integrimit Europian 2019 ofroi një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet më të fundit në BE, skenarët e mundshëm për të ardhmen e tij dhe veçanërisht të ardhmen e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo synoi gjithashtu të forcojë aftësitë negociuese të pjesëmarrësve me anë të metodave praktike për zhvillimin e negociatave efektive.

Shkolla e Integrimit Europian ka bashkëpunuar në vitet e kaluara me Kolegjin e Europës në Bruzh, Akademinë Europiane të Berlinit. Këtë vit fokusi ishte ofrimi i një kuadri edhe më të plotë praktik mbi eksperiencat e vendeve që kanë kaluar procesin e hapjes së negociatave duke bashkëpunuar me ekspertët më të mirë dhe negociatorët nga Kroacia, Mali i Zi, Serbia. Leksionet e tjera u mbajtën nga profesorë të njohur, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar nga Universiteti i Zagrebit, Universiteti i Selanikut, Kolegji Europian i Fondacionit të Parmës, Qendra Austro-Franceze për përafrimin me Europën, si dhe seanca bashkëbisedimi me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Delegacioni i BE në Shqipëri. 

Programi i shkollës 2019 përfshiu pesë module kryesore:


  • Moduli 1: Perspektivat e pranimit në BE, sfidat dhe strategjitë e negocimit (rasti i Kroacisë dhe Malit të Zi);
  • Moduli 2: Financimet e BE-së, zhvillimi i projektit dhe negocimi i kapitullit 22;
  • Moduli 3: Advokatia, roli i shoqërisë civile gjatë procesit të negociatave dhe përafrimi i legjislacionit të BE-në;
  • Moduli 4:  Zgjerimi i BE-së dhe roli i mediave në procesin e integrimit europian;
  • Moduli 5: Integrimi në BE dhe bashkëpunimi rajonal / Ballkani Perëndimor / Procesi i Berlinit.

 

Gjatë Shkollës së Integrimit Europian u përdor një shumëllojshmëri e metodave të trajnimit si: leksione, prezantime praktike, dhe diskutime ndërvepruese.

Nga një numër i lartë prej 182 aplikimesh, bazuar në një përzgjedhje transparente e cila merr në konsideratë përfaqësimin e të gjithë grupeve të interesit dhe aktorëve të procesit të integrimit u përzgjodhën 35 pjesëmarrës:

  • 17 përfaqësues nga administrata publike (11 nga qeverisja qendrore dhe institucionet e saj të varësisë dhe 6 nga institucionet e pavarura,)
  • 4 përfaqësues nga shoqëria civile,
  • 3 përfaqësues nga vetëqeverisja vendore,
  • 3 përfaqësues nga bota akademike,
  • 4 përfaqësues nga media,
  • 1 përfaqësues nga minoritetet
  • 3 përfaqësues nga parlamenti. 

 

Për të mësuar më shumë mbi zhvillimin e Shkollës së Integrimit Europian 2019 ju ftojmë të lexoni axhendën, e cila paraqet një informacion të detajuar mbi temat dhe lektorët, dhe  listën e pjesëmarrësve. 

 

Ceremonia e shërndarjes së certifikatave u zhvillua në datën 22 Nëntor 2019 në mjediset e “Europe House”, pas një jave trajnimi intensiv dhe të suksesshëm. Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së certifikatave ishin: Znj. Rudina Hajdari, Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Z. Genci Gjonçaj, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, Z. Sylvain Gambert, përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri si edhe Znj. Stine Klapper, Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung.