Shkolla e Integrimit Europian 2020

Për të pestin vit radhazi, Shkolla e Integrimit Europian synoi të identifikojë dhe angazhojë aktorë të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, duke krijuar një grup të konsoliduar ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit europian, të cilët mund të kontribuojnë në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE).

Shkolla e Integrimit Europian 2020 ofroi një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet më të fundit në BE, skenarët e mundshëm për të ardhmen e tij dhe veçanërisht të ardhmen e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo synoi gjithashtu të forcojë aftësitë negociuese të pjesëmarrësve me anë të metodave praktike për zhvillimin e negociatave efektive.

Pavarësisht vështirësive të krijuar nga pandemia, u vijua me ndarjen e eksperiencës profesionale në çështjet e integrimit me lektorë nga Komisioni Europian, Drejtoria e Zgjerimit; nga Universiteti Westminster i Londrës, nga Kolegji i Europës, nga Universiteti i Grazit, nga Universiteti i Strasburgut, Selanikut dhe ai Zagrebit si edhe me ekspertë ndërkombëtar në çështjet e negociatave nga vende që e kanë kaluar atë fazë siç është Kroacia, ose që po e kalojnë aktualisht këtë fazë si Serbia dhe Mali i Zi. 

Programi përfshiu pesë module kryesore:

 

Moduli 1: Perspektivat e pranimit në BE, sfidat dhe strategjitë e negocimit (rasti i Serbisë dhe Malit të Zi);

 

Moduli 2: Advokatia, roli i shoqërisë civile gjatë procesit të negociatave dhe përafrimi i legjislacionit të BE-në;

 

Moduli 3:  Zgjerimi i BE-së dhe roli i mediave në procesin e integrimit europian;

 

Moduli 4: Financimet e BE-së, zhvillimi i projektit dhe negocimi i kapitullit 22 (Rasti i Kroacisë);

 

Moduli 5: Integrimi në BE dhe bashkëpunimi rajonal / Ballkani Perëndimor / Procesi i Berlinit si dhe Roli i Gjyqësorit në zbatimin e legjislacionit europian.

 

Gjatë Shkollës së Integrimit Europian u përdor një shumëllojshmëri e metodave të trajnimit si: leksione, prezantime praktike, ushtrime dhe diskutime ndërvepruese.

Nga një numër i lartë prej 217 aplikimesh, bazuar në një përzgjedhje transparente e cila merr në konsideratë përfaqësimin e të gjithë grupeve të interesit dhe aktorëve të procesit të integrimit u përzgjodhën 37 pjesëmarrës:

         7 përfaqësues nga ministritë e linjës,

         4 nga institucionet varësisë së ministrive të linjës,

         5 lektorë nga universitete publike dhe private,

         3 kërkues shkencorë,

         2 përfaqësues nga media,

         4 përfaqësues nga bashkitë,

         4 përfaqësues nga Organizatat Jo Fitimprurëse,

         2 përfaqësues nga Dhomat kombëtare të Avokatisë dhe Noterëve,

         1 nga biznesi,

         5 përfaqësues nga Parlamenti.

 

Për të mësuar më shumë mbi zhvillimin e Shkollës së Integrimit Europian 2020 ju ftojmë të lexoni axhendën, e cila paraqet një informacion të detajuar mbi temat dhe lektorët,  listën e pjesëmarrësve dhe broshurat.

Çertifikatat për pjesëmarrësit u shpërndan në mënyrë elektronike dhe me postë. 



Përmbledhje e Bazave Ligjore