Shkolla Europiane 2016

Organizimi i Shkollës Verore Europiane është një nga iniciativat e para të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE). Në takimin e parë të tij, në 8 maj 2015, është shprehur gatishmëria për të iniciuar ngritjen përgjatë vitit 2016, të një shkolle për çështjet e integrimit europian e cila do të jetë e hapur për administratën publike, për studiuesit e rinj, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e tjera të interesit, me qëllim ofrimin e njohurive të thelluara teorike dhe praktike mbi Bashkimin Europian.

Raundi i parë i Shkollës Verore Evropiane, i miratuar me Vendimin e Byrose se Kuvendit nr. 69, datë 04.05.2016, u organizua nga KKIE në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), Rrjetin e Informimit të Bashkimit Europian dhe Kombet e Bashkuara (UN), në datat 26-30 shtator 2016 në ambjentet e kryesisë së Kuvendit. Ky raund i parë i Shkollës Europiane synonte të ndihmonte në identifikimin e aktorëve të mundshëm të Ekipit Negociator për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si dhe të krijojë një grup ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit në BE. Zhvillimi i trajnimeve të tilla gjithëpërfshirëse kontribuon në promovimin e një qasje të re të unifikuar të formimit të vazhdueshëm e gjithëpërfshirës  për çështjet e integrimit Europian, në linjë edhe me nismat e ndërmarra nga Kuvendi për t’i dhënë një nxitje të posaçme forcimit të bashkëpunimit me universitetet dhe aktorët e shoqërisë civile.

 

Programi i Shkollës Verore përfshinte katër module kryesore:

  • Situata aktuale dhe kuadri institucional i Integrimit Europian në Shqipëri;
  • Negociatat: Strategjitë dhe negociimi;
  • Hapat dhe fazat drejt negociatave;
  • Komunikimi në publik i procesit të Integrimit Europian.

Shkolla Verore ishte e hapur për:

  • Nëpunës të administratës publike shqiptare (duke përfshirë edhe institucionet e pavarura) që punojnë në fushën e Integrimit Europian të cilët të synojë të angazhohen në procesin e negociatave;
  • Studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave jo-fitimprurëse, të cilët dëshirojnë të përmirësojnë aftësitë e tyre në fushën e Integrimit Europian dhe synojnë të jenë të përfshirë në procesin e negociatave;
  • Gazetarë që mbulojnë cështjet e Integrimit Europian.

Shkolla Verore Europiane tërhoqi interesin e një numri të madh ekspertësh dhe profesionistësh të çështjeve të Integrimit Europian. Në përgjigje të thirrjes së hapur për pjesëmarrje, aplikuan 221 persona, prej të cilëve 69 ishin përfaqësues nga shoqëria civile dhe bota akademike, 92 përfaqësues nga administrata publike dhe 7 përfaqësues nga media. Në vlerësimet e shprehura nga pjesëmarrësit, organizimi i shkollës verore u konsiderua si një iniciativë shumë e mirë e Kuvendit e cila adreson rekomandimet e BE për forcimin e kapaciteteve të të gjithë aktorëve si dhe forcon më tej bashkëpunimin e tyre me Kuvendin.