Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asocimit BE – Shqipëri

Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri

Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri, u ngritën edhe strukturat e përbashkëta BE–Shqipëri për mbikëqyrjen e zbatimit të MSA-së në nivel ekzekutiv dhe parlamentar. Neni 10 i MSA-së parashikon se dialogu politik në nivel parlamentar zhvillohet brenda kuadrit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit. Sipas nenit 122 të MSA-së, Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit është forumi i anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Parlamentit Europian, në të cilin diskutohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve politike dhe ekonomike BE–Shqipëri, me fokus të veçantë në zbatimin e MSA-së.
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit është ngritur me vendim të Konferencës së Presidentëve të Parlamentit Europian, datë 21 janar 2010, dhe vendim të Kuvendit të Shqipërisë, datë 26 mars 2010. Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit e zhvilloi takimin e parë (konstitutiv) në Bruksel në datat 3 dhe 4 maj 2010 dhe deri tani ka zhvilluar 9 takime.
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit përbëhet nga një numër i barabartë anëtarësh të caktuar nga Parlamenti Europian dhe nga Kuvendi i Shqipërisë dhe mblidhet në intervale kohore që vendosen nga ai vetë (zakonisht 2 herë në vit). Koha e qëndrimit në detyrë e anëtarëve të delegacioneve vendoset në përputhje me rregullat, praktikat dhe vendimet e strukturave kompetente të Parlamentit Europian dhe të Kuvendit të Shqipërisë. Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit kryesohet me rotacion nga Parlamenti Europian dhe Kuvendi i Shqipërisë. Funksioni i kryetarit mbahet sipas radhës nga kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian ose nga kryetari i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë dhe, nëse është e nevojshme, zëvendësohet nga zëvendëskryetari respektiv i delegacionit. Byroja e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit përbëhet nga kryetarët dhe zëvendëskryetarët e delegacioneve të Parlamentit Europian dhe të Kuvendit të Shqipërisë.
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit funksionon sipas rregullores së miratuar nga anëtarët e delegacionit shqiptar në këtë Komitet më 3 maj 2010 dhe nga Byroja e Parlamentit Europian më datën 6 tetor 2010. Takimet janë publike, me përjashtim të rasteve kur Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit vendos ndryshe. Në përfundim të çdo takimi, pasi diskutohen të gjitha pikat e rendit të ditës të takimit, Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit, si rregull, miraton deklaratën dhe rekomandimet e përbashkëta, të cilat u dërgohen institucioneve shqiptare (Kuvendit dhe qeverisë shqiptare) dhe atyre të Bashkimit Europian (Parlamentit Europian, Këshillit të Ministrave dhe Komisionit Europian). Rekomandimet konsiderohen të miratuara nëse marrin mbështetjen e shumicës së anëtarëve të delegacionit të Parlamentit Europian dhe të delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë.

Dokumente: