Komisioni për Integrimin Europian

Komisioni për Integrimin Europian

Komisionin për Integrimin Europian është krijuar në vitin 2002 si një komision ad hoc (vendimi i Kuvendit nr.37, datë 16.05.2002) dhe në vitin 2004, me miratimin e Rregullores së re të Kuvendit (vendimi i Kuvendit, nr. 117, datë 26.01.2004), mori statusin e komisionit të përhershëm parlamentar.

Komisioni për Integrimin Europian, brenda fushës të tij përgjegjësisë, ushtron tri funksione kryesore: funksionin ligjvënës, funksionin kontrollues dhe funksionin zgjedhor. Ky Komision ushtron gjithashtu edhe funksione dhe veprimtari të tjera, të cilat burojnë nga tri funksionet e tij kryesore, përfshirë veprimtarinë informuese për çështjet e integrimit europian dhe bashkëpunimin ndërparlamentar me parlamentet kombëtare të shteteve anëtare të BE-së dhe të shteteve që janë në proces anëtarësimi në BE.

Fusha e përgjegjësisë dhe kompetencat e Komisionit për Integrimin Europian janë parashikuar në Rregulloren e Kuvendit dhe në ligjin nr.15/2015, datë 5.03.2015, “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Neni 19, pika 1 e Rregullores së Kuvendit dhe neni 10 i ligjit nr.15/2015, datë 5.03.2015, parashikojnë se Komisioni për Integrimin Europian ka në fushën e tij të përgjegjësisë çështjet e integrimit europian, përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e BE-së, monitorimin e zbatimit të angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, si dhe të asistencës financiare të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Sipas Rregullores së Kuvendit dhe nenit 14 të ligjit nr.15/2015, Komisioni për Integrimin Europian në përmbushje të funksioneve të tij ushtron këto kompetenca:

– Shqyrton, së bashku me komisionet e tjera parlamentare, projektligjet që kanë lidhje me përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e BE-së (funksioni ligjvënës).

– Monitoron Këshillin e Ministrave (ministrinë përgjegjëse) për çështjet e integrimit dhe zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në BE; nxit ministrinë përgjegjëse për çështjet e integrimit europian që të hartojë dhe të përditësojë planin kombëtar për integrimin europian, si dhe monitoron zbatimin e tij; harton dhe shqyrton projektrezoluta lidhur me Planin Kombëtar për Integrimin Europian; monitoron kuadrin e përgjithshëm të bisedimeve për anëtarësim; së bashku me komisionet e tjera të përhershme parlamentare monitoron zbatimin e legjislacionit shqiptar të përafruar me legjislacionin e BE-së; mbikëqyr asistencën financiare të Bashkimi Europian për Shqipërinë (funksioni kontrollues).

– Bashkërendon punën me Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asocimin për të mbajtur marrëdhënie bashkëpunimi me strukturat e Parlamentit Europian dhe me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së (bashkëpunimi ndërparlamentar).

– Bashkëpunon me organizatat e shoqërisë civile për të siguruar informimin dhe pjesëmarrjen e tyre në procesin e integrimit europian (veprimtaria informuese).
Kuadri rregullator i lartpërmendur sanksionon një model të centralizuar të shqyrtimit të çështjeve të BE-së në Kuvendin e Shqipërisë, në të cilin Komisioni për Integrimin Europian luan rol thelbësor në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së në nivel parlamentar dhe në kontrollin e veprimtarisë së qeverisë në çështjet e integrimit europian.

Aktualisht Komisioni për Integrimin Europian përbëhet nga 16 anëtarë. Sipas një tradite tashmë të konsoliduar parlamentare, kryetari i Komisionit për Integrimin Europian i përket opozitës parlamentare. Kjo është një praktikë e mirë, po të kemi parasysh rolin e tij kontrollues ndaj qeverisë.