Përafrimi i legjislacionit

Përafrimi i legjislacionit

Shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian duhet të përafrojnë legjislacionin e tyre të brendshëm me legjislacionin e Bashkimin Europian dhe ta zbatojnë atë me efektivitet.

Detyrimi i Republikës së Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit të saj me acquis të BE-së buron nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri, e cila është nënshkruar më 12 qershor 2006 dhe ka hyrë në fuqi më 1 prill 2009. Neni 70 i MSA-së parashikon se Shqipëria do të përpiqet të sigurojë që ligjet e saj ekzistuese dhe legjislacioni i ardhshëm të shkojnë gradualisht drejt përputhjes me acquis të BE-së. Ky përafrim ka filluar në datën e nënshkrimit të MSA-së dhe do të shtrihet gradualisht në tërë elementet e acquis të BE-së të parashikuara në këtë Marrëveshje brenda një periudhe tranzitore deri në 10 vjet, e ndarë në dy faza. Gjatë fazës së parë të periudhës tranzitore (e cila ka filluar me hyrjen në fuqi të MSA-së) përafrimi përqendrohet në elementet thelbësore të acquis të Tregut të Brendshëm, kurse gjatë fazës së dytë Shqipëria do të përafrojë pjesët e mbetura të acquis.

Përveç MSA-së procesi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së realizohet duke u bazuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Rregulloren e Kuvendit, në ligjin nr.15/2015, datë 5.03.2015, “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” dhe në akte të tjera ligjore e nënligjore.

Të gjitha fazat e procesit legjislativ, duke nisur me formulimin e politikave dhe përcaktimin e instrumentit rregullues (ligj) deri te hartimi i tekstit të aktit dhe miratimit të tij në Kuvend, janë pjesë e procesit të adresimit të kërkesave të acquis të BE-së në legjislacionin shqiptar, ndryshe procesi i përafrimit të legjislacionit. Në këtë proces përgjegjësinë kryesore për planifikimin dhe propozimin e nismave ligjore e ka qeveria. Por Kuvendi, si organi më i lartë ligjvënës në vend, luan një rol shumë të rëndësishëm në procesin e përafrimit të legjislacionin shqiptar me atë të BE-së, duke ushtruar kontrollin ligjor dhe politik të këtij procesi.

Procedura e shqyrtimit të përputhshmërisë së legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së në Kuvend përcaktohet në mënyrë të detajuar në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë dhe në ligjin nr.15/2015, datë 5.03.2015, “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Rregullorja e Kuvendit dhe ligji nr.15/2015 parashikojnë se projektligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian duhet të jenë të shoqëruara me relacionin shpjegues dhe tabelat e përputhshmërisë (instrumentet e përafrimit) dhe se organet e Kuvendit (Kryetari i Kuvendit dhe Komisioni për Integrimin Europian) mund të kthejnë te nismëtari projektligjet e depozituara në Kuvend kur konstatojnë mangësi në dokumentacionin që shoqëron projektligjin.

Projektligjet e propozuara Kuvendit që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian shqyrtohen nga Komisioni për Integrimin Europian, i cili ka në fushën e tij të përgjegjësisë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Komisioni gjatë shqyrtimit të përputhshmërisë së projektligjit me acquis të BE-së analizon tabelat e përputhshmërisë që shoqërojnë projektligjin, duke krahasuar tekstin e projektligjit me pjesët e legjislacionit të Bashkimit Europian me të cilat projektligji është përafruar. Në përfundim të shqyrtimit Komisioni për Integrimin Europian harton raportin përkatës, i cili përmban shkallën e përafrimit të projektligjit të propozuar me acquis të BE-së, si dhe amendamentet përkatëse për përmirësimin e tekstit të projektligjit, i cili i paraqitet Komisionit përgjegjës dhe seancës plenare. Sipas Rregullores së Kuvendit, raporti i Komisionit për Integrimin Europian është i detyrueshëm për t’u shqyrtuar nga komisioni përgjegjës para miratimit në tërësi të projektligjit. Në seancë plenare shqyrtimi i përputhshmërisë së projektligjit me acquis të BE-së bëhet sipas procedurës së zakonshme ligjvënëse.

Shërbimi i Përafrimit të Legjislacionit në Kuvend i ofron Komisionit për Integrimin Europian dhe Kuvendit asistencën e nevojshme teknikoligjore në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së. L

Ligjet e përafruara me acquis të BE-së për periudhën shtator 2013 – në vazhdim

Ligj nr.10/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar”


Ligj nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”


Ligj nr. 21/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar”


Ligj nr.27/2016 “Për menaxhimin e kimikateve”


Ligj nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”


Ligj nr.36/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 198, datë 10.12.2009, “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive””


Ligj nr.39/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2014, “Për sigurimin e depozitave”


Ligj nr.47/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, të ndryshuar”


Ligj nr.66/2016 “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”


Ligj nr.71/2016 “Për kontrollin kufitar”


Ligji nr.74/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 108/2013 “Për të huajt””


Ligj nr. 95/2015 “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”.


Ligj nr. 102/2015 “Për sektorin e gazit natyror”.


Ligj nr. 124/2015 “Për efiçencën e energjisë”.


Ligj nr.136 /2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.


Ligji nr. 93/2015 “Për turizmin”.


Ligj nr. 53/2015 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9870, datë 4.2.2008 “Për standardizimin” të ndryshuar””


Ligj nr. 46/2015 “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë”


Ligj nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”


Ligj nr. 8/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, të ndryshuar”


Ligj nr. 175/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”


Ligj nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”


Ligj nr. 129/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008,“Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar


Ligj nr. 121/2014 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”


Ligj nr. 116/2014 “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”


Ligj nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”


Ligj nr. 102/2014 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”


Ligj nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”


Ligj nr. 89/2014 “Për pajisjet mjekësore”


Ligj nr. 74/2014 “Për armët”


Ligj nr. 68/2014“ Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9587, datë 20.7.2006 “Për mbrojtjen e biodiversitetit” të ndryshuar


Ligj nr. 53/2014 “Për sigurimin e depozitave”


Ligj nr. 52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”


Ligj nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”


Ligj nr. 168/2013 “Për sigurinë në anije dhe në porte”


Ligj nr. 158/2013 “Për sigurinë në tunelet rrugore”