Shkolla Europiane 2017

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE), në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian, Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacionin Friedrich Ebert, organizuan në Tiranë, në datat 4-8 Shtator 2017, raundin e dytë të Shkollës Verore Evropiane. Organizimi i Shkollës Verore për vitin 2017, është miratuar me Vendimin e Byrosë së Kuvendit nr. 107, datë 09.03.2017.

Për të dytin vit radhazi, Shkolla Verore  Evropiane synoi identifikimin dhe angazhimin e aktorëve të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, duke krijuar një grup të konsoliduar ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit evropian, të cilët mund të kontribuojnë në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Shkolla Verore Evropiane ofroi një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet më të fundit në Bashkimin Evropian, skenarët e mundshëm për të ardhmen e tij dhe veçanërisht, të ardhmen e procesit të zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. Shkolla Verore synoi gjithashtu, forcimin e aftësive negociuese të pjesëmarrësve me anë të metodave praktike për zhvillimin e negociatave efektive.

Leksionet u mbajtën nga profesorë të njohur nga Akademia Evropiane e Berlinit,  përfaqësues nga Parlamenti Evropian, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për integrimin evropian dhe procesin e zgjerimit.

Gjithashtu, Shkolla Verore përfshiu seanca bashkëbisedimi me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria, si dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, të cilët diskutuan me pjesëmarrësit mbi ecurinë, sfidat dhe skenarët e mundshëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Bazuar në një qasje metodologjike ndërdisiplinare, Shkolla Europiane 2017 u dha mundësinë të gjithë pjesëmarrësve, të thellojnë njohuritë e tyre në një kategori të gjerë çështjesh që kanë të bëjnë me integrimin evropian, të tilla si:

  • Moduli 1: Bashkimi Evropian dhe zgjerimi i tij me Ballkanin Perëndimor;
  • Moduli 2: Negociatat e  anëtarësimit dhe përafrimi i legjislacionit;
  • Moduli 3: Manaxhimi efektiv i fondeve të Bashkimit Evropian;
  • Moduli 4: Komunikimi në publik i procesit të integrimit evropian.

Shkolla Verore Europiane 2017, zgjeroi kategoritë e pjesëmarrësve duke përfshirë:

 

  • Nëpunës të administratës publike shqiptare (përfshirë edhe vetëqeverisjen vendore dhe institucionet e pavarura) që punojnë në fushën e integrimit evropian, të cilët synojnë të angazhohen në procesin e negociatave;
  • Studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave jo-fitimprurëse;
  • Gazetarë dhe përfaqësues të medias;
  • Përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe grupe të tjera interesi.
  1. Disa fjale mbi rezultatin e arritur te shkolles verore 2017
  2. Linku i pershendetjes nga Komisioneri Hahn (nuk funksionon)