Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi dy seanca dëgjimore

  • Postuar më, 16/06/2020

Në drejtimin e Kryetares znj. Ermonela Felaj Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjen e sotme online, zhvilloi seancë dëgjimore me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, z. Bardhyl Kollçaku, sa  i përket menaxhimit të situate së krijuar nga Covid-19. Z. Kollçaku dha sqarime mbi angazhimin e Forcave të Armatosura, masat e marra, numrin e të infektuarve ne radhët e Forcave te Armatosura brenda dhe jashtë vendit, numriin e testimeve, bashkëpunimi me Policinë e Shtetit etj.
“Puna  e Forcave të Armatosura ështe angazhuar ne katër drejtime; për mbrojtjen e personelit të FA; mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë; mbështetjen e Policisë së Shtetit në angazhimin e saj përgjatë periudhës së pandemisë; mbështetjen e komunitetit.  Sa i përket numrit të të infektuarve në radhët e FA z. Kollçaku bëri me dije se: ”Që prej fillimit të pandemisë dhe deri me 15 qershor , 9 persona janë infektuar nga koronavirusi nga radhët e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura. Në total janë kryer 200 testime. Më tej z.Kollçaku nënvizoi, se po merren masa, për një valë të dytë të mundshme të Covid në vjeshtë.
Komisioni vijoi me seancën dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile z..Haki Çako.
Z. Çako në lidhje me angazhimin e Emergjencave Civile në ndihmë të familjeve në nevojë gjate periudhës Covid-19, raportoi për masat e marra nga kjo strukture, për t’ju përgjigjur detyrimeve të saj, gjatë kësaj periudhe, por dhe situatës  së tërmetit, bashkëpunimi me njësitë e qeverisjeve vendore. “Prioritetet e Agjensisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kanë konsistuar në ndjekjen në mënyrë të vazhdueshme të situatës se krijuar nga Covid-19, në bashkëpunim sidomos me Ministrinë e Shëndetësisë, ku Drejtori i Përgjithshëm i AKMC ështe dhe pjesë e Task Forcë , monitorimin e territoreve sidomos atyre që vuanin nga pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit” nënvizoi z.Çako. Në lidhje me masat e marra z.Çako theksoi: “Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave për ofrimin e asistencës në banesa ndaj shtetasve në kushtet e pandemisë" Komisioni Qëndror për ofrimin e asistencës përcaktoi masat për produktet ushqimore dhe joushqimore minimale dhe llojin e produkteve të asistencës ndaj shtresave në nevojë, asistencë kjo, e cila nuk u ofrua vetëm për sa i përket ndihmave ushqimore. U përcaktuan dhe format e dhënies së ndihmave dhe ofrimit të asistencës për shtresat në nevojë, pagesat mujore, ofrimi i barnave për gjithë kategoritë e pensionistëve apo të sëmurëve, kategorizimi i përfituesve” . Sa i përket numrit të ndihmave të shpërndara, z.Çako bëri me dije përpara komisionit se: “Në tota,l ndihmat e shpërndara nga Ministria e Mbrojtjes, por edhe nga të gjitha njësitë e tjera të pushtetit vendor të angazhuara, kapi një vlerë prej, 238848 familje të cilat përfituan ndihma ushqimore dhe 62609 përfituan ndihma mjekësore”
Anëtarët e komisionit bënë pyetje dhe diskutuan mbi problematika të hasura gjatë kësaj periudhe për sa i përket bashkëpunimit të strukturave të Agjesisë me struktura të tjera, mënyrës së ofrimit të asistencës dhe mekanizmit të Mbrojtjes Civile etj.

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës WEBEX


Share