Komisioni për Integrimin Europian miratoi projektligjin “Për metrologjinë”

  • Postuar më, 30/09/2020

30 shtator 2020

Komisioni për Integrimin Europian në drejtimin e kryetares znj. Rudina Hajdari dhe në cilësinë e komisionit për dhënien mendimi, në mbledhjen virtuale të radhës, shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për metrologjinë”.

Pas miratimit të procesverbalit të datës 22.09.2020, si dhe miratimit të kalendarit për periudhën 28 shtator – 16 tetor 2020, rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e projektligjit  “Për metrologjinë”, i cili u prezantua nga znj. Belinda Ikonomi, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë. Znj. Ikonomi sqaroi se projektligji ka për qëllim përmirësimin e kuadrit rregullator për veprimtaritë në metrologjinë shkencore, industriale dhe ligjore, sipas praktikave më të mira evropiane, si dhe krijimin e klimës së lirë të ekonomisë së tregut.

Zëvendësministrja theksoi më tej se hartimi i këtij projektligji synon arritjen e disa objektivave si: përafrimin me legjislacionin përkatës të Bashkimit Europian, lëvizjen e lirë të instrumentave matës, në përputhje me MID (Measuring Instruments Directive), eliminimin e disa barrierave teknike të panevojshme në tregti, etj. 

Pas diskutimeve, anëtarët e këtij komisioni miratuan me shumicë votash projektligjin në fjalë.

Mbledhja e sotme e komisionit  u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.


Share