Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Evis Kushi, për vitin e ri mësimor

  • Postuar më, 27/10/2020

27 tetor 2020

Në drejtimin e kryetarit z. Ramazan Gjuzi, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Evis Kushi, për masat e marra në të gjitha nivelet e sistemit arsimor parauniversitar për vitin e ri mësimor 2020-2021. Pjesëmarrës në dëgjesë ishin edhe z.Selman Hodaj, Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit Parauniversitar  dhe znj. Zamira Gjini, Drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave dhe zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ministrja Kushi bëri një ekspoze të plotë të masave të marra për garantimin e një procesi mësimor normal, pavarësisht kushteve që dikton pandemia Covid-19, duke detajuar hapat e ndërmarrë për përgatitjet qysh përpara nisjes së procesit mësimor në shtator, bashkëpunimin me RTSH për kanalin e dedikuar “RTSH Shkolla”,  ndjekjen e zbatimit të protokolleve të sigurisë, trajnimin e stafit mësimor, etj.

Ministrja u shpreh se vendimi për nisjen e procesit mësimor u morr pas hulumtimit të modeleve botërore, analizimit të shkollave dhe stafeve, inspektimeve të kryera në të gjithë vendin nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, por edhe pas dakordësimit me komunitetin . “U zhvillua edhe një sondazh me 120 mijë mësues, nxënës dhe prindër, nga të cilët 87%  u shprehën pro kthimit të nxënësve në shkollë”, bëri të ditur ministrja e arsimit.

 Znj.Kushi sqaroi se Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar ka hartuar një plan mësimor të unifikuar për të gjitha lëndët dhe për të gjitha klasat, i cili ndihmon ndjekjen e mësimeve në “RTSH Shkolla” nga të gjithë nxënësit. Më tej znj.Kushi shpjegoi se përgjatë periudhës 31 gusht-14 shtetor u zhvillua mësim plotësues për 600 klasa, të cilat nuk kishin pasur akses on-line përgjatë muajve mars-majit, për lëndët bazë.

“Aktualisht mësimi zhvillohet normalisht në të gjithë vendin.  Janë marrë masat që për shkollat e dëmtuara nga tërmeti apo që po i nënshtrohen rikonstruksionit, mësimi të zhvillohet në shkollat pritëse, afër tyre”, theksoi ministrja Kushi.

në lidhje me masat e marra për protokollet e sigurisë, znj.Kushi sqaroi se është përgatitur plani i vendosjes në klasë, në varësi të kushteve fizike specifike që ka çdo shkollë dhe janë marrë masat për dizifiektimin e  tyre, pajisjen me alkool, termometra, etj.  “Protokollet e sigurisë janë zbatuar me ndërgjegjësim të lartë”, vlerësoi znj.Kushi, duke garantuar edhe përballimin me staf mësimor, pas vendimit të qeverisë për punësimin e 1 mijë mësuesve shtesë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Më pas ministrja iu përgjigj pyetjeve të deputetëve në lidhje me investimet në arsimin parauniversitar, trajnimin e mësuesve për mësimin on-line, etj.  

Më tej mbledhja e komisionit vijoi me miratimin e projekt-kalendarit të punës për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin 2020”.  Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale “ Cisco Webex”.


Share