Komisioni për Integrimin Europian miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 74/2014 “Për armët”

  • Postuar më, 28/10/2020

28 tetor 2020

Komisioni për Integrimin Europian në drejtimin e kryetares, znj. Rudina Hajdari dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, në mbledhjen virtuale të radhës, shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 74/2014 “Për armët”.

Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin: z. Besfort Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm dhe z. Albert Dervishaj, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.. Në fjalën e tij zëvendësministri Lamallari, bëri një rezyme të projektligjit , risive dhe  ndryshimeve të propozuara.

“Projektiligji ka për qëllim kryesor përputhjen me objektivin nr. 1 të  Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të  Lehta, (2019-2024) ku përcaktohet që brenda vitit 2023 të garantohet miratimi i legjislacionit për kontrollin e armëve dhe harmonizimin  me kuadrin rregullator të Bashkimit Europian dhe detyrimet e tjera përkatëse”, u shpreh z. Lamallari.

 Z. Albert Dervishaj në fjalën e tij u ndal në risitë dhe objektivat kryesore të kësaj nisme, mes të cilave ato që lidhen me kushtet dhe kriteret për mbajtjen, ruajtjen, tregtimin, importimin, eksportimin, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të armëve të kategorive të ndryshme, si dhe marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe subjekteve për pajisjen me armë e municione. Z. Dervishaj u ndal gjithashtu në nevojën për forcimin e kritereve për shtetasit që kërkojnë të pajisen me leje për armëmbajtje.

Z. Dedë Kasneci, Drejtor i Shërbimit të Përafrimit të Legjislacionit në Kuvend, u shpreh se projektligj është i përafruar me legjislacionin përkatës të BE-së.

Pas diskutimeve, anëtarët e këtij komisioni miratuan nen për nen  dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja e sotme e komisionit  u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.


Share