Komisioni për Sigurinë Kombëtare shqyrton në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2021”, diskutohet buxheti i Ministrisë së Brendshme

  • Postuar më, 30/10/2020

Në drejtimin e znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë shqyrtoi sot në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2021”, sa i takon buxhetit të Ministrisë së Brendëshme.
I pranishem në komision për paraqitjen e projektbuxhetit ishte z. Sandër Lleshaj, ministër në Ministrinë e Brendshme.
Z. Lleshaj,  bëri një tablo të përgjithshme të buxhetit të parashikuar për Ministrinë e Brendshme për vitin 2021.
Ministri Lleshaj, u shpreh se 2020 ishte viti i shtimit të kapaciteteve të munguara për Policinë e Shtetit. U shtua numri i Policisë së Shtetit dhe disa Njësi të reja. Buxheti i 2021 synon të mbajë çka është arritur.
Për sa i përket shifrave ministri detajoi se buxheti i Ministrisë së Brendshme është 20.9 miliard lekë, me një rritje 1.5%.
“Shpenzimet e personelit rriten me 5%, që adreson shtesat e personelit gjatë 2020, si në PSH me një rritje të ndjeshme, Garda, SHÇBA pasi do të vetojë Policinë” sqaroi më tej ministri  para komisionit.
Për sa i përket shpenzimeve  z. Lleshaj shphegoi  se Policia e Shtetit ka një rritje 4%, kryesisht në shpenzime për personelin. “Ka ulje tek shpenzimet me 15%, por shpresojmë në rishikimin e Buxhetit në mesin e vitit 2021” sqaroi më tej z. Lleshaj.
Ministria e Brendshme shpjegoi ministri Lleshaj, ka një rritje të buxhetit sepse ka rritje në numrin e punonjësve të IKMT, që ka marrë përgjegjësi edhe një pjesë të funksioneve të inspektimit të mjedisit, pyjeve dhe ujërave.
Garda e Republikës ka një rritje modeste prej 2%, e cila kryesisht është rritje në shpenzime personeli. Garda e Republikës për shkak të përgjegjësive të reja të marra në kuadër të garantimit të sigurisë personale të stafit, të sistemit të drejtësisë: gjykatësve, prokurorëve, magjistratëve ka pësuar një shtesë në numrin e personelit të saj dhe kjo shtesë personeli reflektohet edhe në një shtesë buxheti të Gardës.
Programi i Gjendjes Civile ka një ulje prej 2%, në raport me vitin 2020.
“Gjendja Civile do të ketë një ngarkesë të shtuar, sa i përket plotësimit të përgjegjësive të saj në funksion të mbështetjes së procesin zgjedhor. Është struktura, e cila është përgjegjëse për gjenerimin e listave të zgjedhësve dhe kryen edhe funksione të tjera në drejtim të njoftimit të tyre. Ndaj do të ketë aktivitet të shtuar, ndonëse buxheti siç thashë ka një ulje në tërësinë e tij”  theksoi z. Lleshaj
Prefekturat dhe funksionet e deleguara është një program, i cili pëson një ulje të lehtë prej 2%, në raport me vitin 2020. Nisur nga raportimi i ministrit, kjo ulje është si në shpenzimet operative, pra mallra, shërbime, ashtu dhe në shpenzimet kapitale.
Ministri gjithashtu shtoi se nevojat e Ministrisë së Brendshme dhe të strukturave të saj për mbështetjen më të madhe buxhetore janë prezente dhe shprehu besimin se në periudhën në vijim, ose gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, do të gjehet mundësia e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave, për të krijuar hapësira të reja financimi për projekte madhore për të cilat MB ka nevojë të madhe.
Edhe relatorja znj. Antoneta Dhima mbështeti në emër të komisionit projektbuxhetin e paraqitur nga ministri.
Në përfundim të diskutimeve, anëtarët gjithashtu miratuan parimisht projektbuxhetin e Ministrisë së Brendshme.


Share