Shqyrtimi në parim i projekt-buxhetit të vitit 2021, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvillon 4 dëgjesa

  • Postuar më, 02/11/2020

2 nëntor 2020

Në drejtimin e kryetarit z. Ramazan Gjuzi, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi disa seanca dëgjimore për shqyrtimin në parim të projekligjit “Për buxhetin e vitit 2021”.

Fillimisht u zhvillua një seancë dëgjimore me përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, të cilët paraqitën projektet kryesorë në fushën e shkencës dhe studimeve albanologjike, që do të reflektohen në buxhetin e vitit 2021. Duke u ndalur në disa prej zërave kryesore të projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm, Akademik Vasil Tole, Nënkryetar i Akademisë së Shkencave, u shpreh se tek zëri i investimeve kërkohet ndërhyrje për mundësimin e teknologjisë online, si dhe kërkohet një shtesë fondi për mbështetjen e disa strukturave të krijuara në zbatim të ligjit të ri të miratuar për Akademinë e Shkencave, si dhe kryerjen e një sërë aktivitetesh të rëndësishme, si:Kuvendi i Studimeve Albanologjike, Kongresi Botëror i Nano-Teknologjisë, etj.

Komisioni vijoi me dëgjesën me drejtues të Këshillit Drejtues të RTSH dhe Drejtorin e Përgjithshëm, z.Thoma Gëllçi, për diskutimin në parim të projekt-buxhetit për vitin 2021 të këtij institucioni. Z.Gëllçi prezantoi për komisionin projektet e RTSH për vitin e ardhshëm, të cilat do të duhet të financohen nga Buxhetit i Shtetit, mes të cilëve shërbimin e transmetimeve audio-vizive për shqiptarët jashtë vendit, projektet e rëndësishme për futjen e teknologjisë së avancuar për prodhim dhe transmetim , prodhime artistike mbarëkombëtare, financimin e orkestrës sinfonike të RTSH, etj.  Teksa është ndalur në rëndësinë e RTSH për informimin publik, si dhe detyrimet që duhen plotësuar, z.Gëllçi ka kërkuar fonde shtesë pasi sipas tij “buxheti për vitin 2021 paraqitet në vlerën 64 mln lekë më pak se buxheti i vitit 2020 ose një ulje në nivelin 10% , si dhe një pakësim në vlerën  75 mln lekë karahasuar me tavanet e shpenzimeve të vitit 2021”.

Dëgjesa e tretë u zhvillua me znj.Evis Kushi, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e cila u shpreh se pavarësisht kushteve në të cilat ndodhet ekonomia, buxheti për arsimin, sportin dhe rininë vijon trendin rritës, si në vlera nominale, ashtu dhe në raport me PBB. Sipas ministres për vitin 2021 fondet për sektorin e arsimit janë rritur me 36.3%, ndërkohë që u ndal në mënyrë të veçantë tek rritja e pagave të mësuesve për vitin e ardhshëm. “ Rritja për vitin e ardhshëm do të jetë 15% dhe do të sjellë një efekt financiar prej 3 mld e 500 mln lekë, përfitojnë 100% e punonjësve të arsimit para-universitar”, theksoi znj.Kushi, duke shtuar më tej se një zë i rëndësishëm në buxhet do të jetë dhe shtesa e fondit të pagave për 1 mijë mësues shtesë të kontraktuar për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19. Ministrja veçoi edhe investimet që do të bëhen në rikonstruksionin e 120 laboratorë dhe ambjente mësimor, por dhe rindërtimin e rreth 140 objekteve arsimore të dëmtuara nga dy tërmetet e vitit të kaluar në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

E fundit në rendin e ditës së komisionit ishte dëgjesa me znj. Armela Krasniqi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), e cila prezantoi përpara deputetëve të komisionit projekt-buxhetin e vitit 2021 për institucionin që drejton.

“Agjencia Telegrafike Shqiptare është një institucion klasik dhe unik i medias publike në Shqipëri, që ka pasur një kalvar të gjatë ndër vite, por që ka ruajtur thelbin e një institucioni që informon publikun nëpërmjet zhanrit më klasik, lajmit pa asnjë koment dhe deformim, lajm që shpërndahet jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht dhe frëngjisht, duke qenë i vetmi ent informativ shqiptar që përcjell në botë në mënyrë profesionale, specifike dhe të detajuar gjithçka ndodh në Shqipëri sipas parimit të saktësisë dhe paanësisë”, nënvizoi znj. Krasniqi, duke shtuar më tej se situatat e krijuara nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019 dhe pandemia e COVID-19  ndihmuan për të nxjerrë në pah vlerat profesionale të ATSH-së. Znj. Krasniqi kërkoi një shtesë fondi për dixhitalizimin e arkivës së fotografive dhe buletinëve.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit “Cisco Webex”.


Share