Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projekligjin “Për Censin e popullsisë dhe të banesave”

  • Postuar më, 04/11/2020

4 nëntor 2020

 

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik  në drejtimin e  kryetarit, z. Ramazan Gjuzi dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi shqyrtoi dhe miratoi projekligjin “Për Censin e popullsisë dhe të banesave”. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin nga INSTAT: znj. Elsa Dhuli, Drejtoreshë e Përgjithshme, si dhe stafi teknik i këtij institucioni.

 

Znj. Dhuli bëri një ekspoze të risive dhe qëllimit të këtij projektligji, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në dy prej synimeve kryesore të tij: prodhimin e saktë të statistikave mbi popullsinë dhe banesat, duke mirëpërcaktuar me ligj rolin e INSTAT-it si institucioni përgjegjës për kryerjen e suksesshme të procesit, si dhe kryerjen e censit në përputhje me rekomandimet dhe standardet e reja ndërkombëtare. Censi do të ofrojë informacion të përditësuar mbi popullsinë rezidente në Shqipëri dhe karakteristikat e tyre gjeografike, demografike, ekonomike, arsimore, mbi migracionin, banesat dhe karakteristikat e banesave.

 

Deputetja Almira Xhembulla në cilësinë e relatores vlerësoi se projektligji vjen në kohën e duhur, pasi censusi i fundit në Shqipëri është zhvilluar në vitin 2011 dhe qysh prej asaj kohe kanë ndodhur ndryshime të mëdha ekonomike, sociale, duke marrë në konsideratë edhe faktin që qysh prej vitit 2015 është implementuar reforma e re administrativo-territoriale, që solli një riorganizim të njësive vendore.

 

Pas pyetjeve ,diskutimeve dhe sygjerimeve të ndryshme, anëtarët e komisionit miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

 Në përfundim, komisioni miratoi edhe draft-kalendarin e shqyrtimit nen për nen dhe në tërësi të projekt-buxhetit të vitit 2021.

Mbledhja e sotme u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit, “Cisco Webex”.


Share