Komisioni për Integrimin Europian miratoi projekt-buxhetin e vitit 2021 për Ministrinë e Evropës dhe Punët e Jashtme

  • Postuar më, 09/11/2020

09 nëntor 2020

Komisioni për Integrimin Europian, nën drejtimin e nënkryetares znj. Senida Mesi, në seancën e radhës online,  shqyrtoi dhe miratoi në tërësi projektligjin, “Për buxhetin e vitit 2021” për Ministrinë e Evropës dhe Punët e Jashtme. 

Të ftuar në këtë dëgjesë ishin z. Sokol Dedja, zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme,  z. Armand Skapi, Sekretar i Përgjithshëm, si dhe znj. Ilda Dega, drejtore e buxhetit po nga kjo ministri. 

Në fjalën e tij z. Dedja, radhiti një sërë objektivash të realizuara nga kjo ministri për vitin që lamë pas, si dhe bëri një prezantim të hollësishëm të projekligjit “Për buxhetin e vitit 2021” pranë kësaj ministrie. 

Ndër objektivat e radhitura përpos situatës së pandemisë globale, z. Dedja përmendi, integrimin europian të vendit, përfshirë këtu arritjen historike të vendimit të Këshillit  të marsit për hapjen e negociatave dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe paketa e 6 tetorit të Këshillit Europian sdhe vlerësimin e përmbushjeve të kushteve për anëtarësimin në BE. 

Njëkohësisht z. Dedja përmendi dhe kryesimin me sukses të OSBE-së në Tiranë, ku janë zhvilluar një numër aktivitetesh të rëndësishme, mes të cilave  Konferenca e nivelit të lartë të Anti – Semitizmit zhvilluar pak ditë më parë, si dhe punën për përgatitjen në fazën përmbyllëse për takimin e ministrave të  jashtëm të OSBE-së që pritet të zhvillohet në dhjetor në Tiranë. 

Lidhur me projekt-buxhetin z. Dedja u shpreh: “Projekt-buxheti për Ministrinë e Evropës dhe Punët e Jashtme për vitit 2021 është pjesë e hartimit të programit buxhetor afatmesëm 2021-2023.  Hartimi i projektbuxhetit  është kryer në funksion të aktivitetit diplomatik dhe konsullor të ministrisë, përfshirë këtu misionet diplomatike postet konsullore jashtë vendit, që kanë në themel objektivat e përcaktuara në programin e qeverisë në planin kombëtar, të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Bashkimit Europian dhe planit kombëtar të Integrimit Europian”. 

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të shumta nga anëtarët e këtij komisioni në fund të seancës dëgjimore,  u miratua në tërësi ky projekt-buxhet për MEPJ. 

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës online “Cisco Webex”.


Share