Ligji “Për barazinë gjinore” iu nënshtrua kontrollit post legjislativ

  • Postuar më, 01/12/2020

Në ushtrim të funksionit të kontrollit parlamentar lidhur me zbatimin e ligjeve të miratuara dhe ndikimit të tyre në shoqëri, ligji “Për barazinë gjinore”,  veçanërisht zbatimi i kuotës gjinore iu nënshtrua kontrollit post legjislativ.

Në mbledhjen e përbashkët e dy nënkomisioneve parlamentare, nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut dhe nënkomisionit për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas u prezantuan gjetjet e shqyrtimit post-legjislativ të ligjit për barazinë gjinore dhe disa sugjerime për përmirësimit e ligjit për barazi gjinore, bazuar në analizën dhe vlerësimet e ekspertëve dhe  shoqërisë civile. 

Kryetarja e nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut znj. Vasilika Hysi dhe kryetarja e nënkomisonit për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas znj. Eglantina Gjermeni, parashtruan rëndësinë e prezantimit të gjetjeve të monitorimit të ligjit të barazisë gjinore, kuotës gjinore, në mënyrë të veçantë në kuadër të projektit rajonal HUGEN.

Znj. Hysi në fjalën e saj shprehu mirënjohjen për të gjithë përfaësuesit e institucioneve dhe të shoqërisë civile që  kontribuuan në  proces si dhe  nënvizoi vëmendjen e shtuar të Kuvendit të Shqipërisë në ushtrimin e funksionit legjislativ, të kontrollit parlamentar të zbatimit të ligjit,  dhe asaj që eshtë me rëndësi kontrollit post legjislativ për të vlerësuar përmbushjen e qëllimit të ligjit dhe ndikimin  e tij në shoqëri.  

“Miratimi i një ligji të mirë nuk mjafton, me rëndësi është zbatimi i tij dhe vlerësimi i ndikimit të tij në shoqëri. Bazuar në gjetjen e kontrollit post legjislativ , si ligjvënës mund dhe duhet të ndërmarrin nismat  e nevojshme për përmirësimin e ligjit dhe mbeshtetjen e nevojshme me burime njerëzore dhe financiare të nevojshme”- theksoi znj Hysi në fjalën e saj.

Kryetarja e nënkomisionit për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas znj. Eglantina Gjermeni, falenderoi po ashtu të gjithë bashkëpunëtorët për mbështetjen dhe hartimin e këtij raporti.

“Mendoj që gjithë qëllimi i këtij shqyrtimi post-legjislativ është sesi kjo të kthehet në një përvojë pune të vazhdueshme për parlamentin tonë dhe parlamentet e rajonit, ndërkohë që padyshim ligji i barazisë gjinore i miratuar në vitin 2008 ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm përsa i përket barazisë gjinore në Shqipëri, por sigurisht ka pasur edhe sfidat e veta dhe për më tepër kuota që diskutohet kaq shumë duhet të shikohet sa dhe si është zbatuar në praktikë dhe çfarë mund të bëjmë ne për të forcuar zbatimin e ligjit, apo përmirësuar atë si edhe për të pasur në fakt një ligj më të mirë që t’i rezistojë kohës dhe t’i përgjigjet nevojave të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.”,- theksoi znj. Gjermeni në fjalën e saj. 

Gjetjet e shqyrtimit post-legjislativ të ligjit për barazinë gjinore u prezantuan nga znj, Mirela Arqimandriti e cila në fjalën e saj, ndër të tjera u shpreh se raporti pasqyron gjetje dhe sugjerime për procesin e përmirësimit të ligjit për barazi gjinore në të ardhmen, bazuar në analizën dhe opinionet e aktorëve të ndryshëm që kanë njohuri lidhur me funksionimin e Kuvendit dhe zbatimin e këtij ligji në shoqërinë shqiptare. 

“Ndër të tjera objektivat e këtij ligji janë pjesërisht të rëndësishme pasi ai synon të sigurojë rritjen e përfaqësimit të grave në fusha të ndryshme të jetës dhe t’i mbrojë ato nga diskriminimi por gjithashtu disa pjesë të tjera të legjislacionit që mbulojnë fusha të ngjashme me ato të ligjit për barazinë gjinore t ë miratuara dhe të ndryshuara më pas, janë kthyer në pika kryesore referimi duke e lënë ligjin  për barzinë gjinore të vjetëruar.,” - u shpreh znj. Arqimandriti.

Në mbledhjen e përbashkët të dy komisioneve ishte e ftuar Prof. Maria Mousmati, profesore në Institutit e Studimeve Ligjore të Avancuara, Universiteti i Londrës, e cili  paraqiti metodologjinë e kontrollit post-legjislativ dhe rëndësinë e shqyrtimit të ndikimit  të legjislacionit në shoqëri. Një fjalën e saj Prof. Mousmati theksoi rëndësinë e kontrollit të të zbatimit të ligjeve për një qeverisje demokratike, nevoja e krijimit të një sistemi paralajmërimi të hershëm kundër efekteve anësore të një ligji të miratuar, testimi i vërtetë i cilësisë dhe efektivitetit të menaxhimit rregullator të legjislacionit.

Të ftuar për këtë mbledhje ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme të konsultura në lidhje me kuotën gjinore,  institucioneve të pavaruara kushtetuese.

Pas prezantimit të gjetjeve të kontrollit post legjislativ, u vazhdua me diskutime dhe sugjerime mbi raportin dhe procesin e rishikimit të këtij ligji.

Nisma për kontrollin post legjislativ të ligjit “Për barazinë gjinore” është pjesë e nismës rajonale të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor të bashkuar në Rrjetin e Komisioneve të të Drejtave të Njeriut dhe të Barazisë  Gjinore (HUGEN) dhe mbështetur nga  Fondacioni Westminster për Demokraci.

Mbledhja e përbashkët e dy nënkomisoneve u zhvillua nëpërmjet platoformës online “Webex”.



Share