Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për faljen e detyrimeve të ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore, të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi’ si dhe vijoi diskutimin nen për nen të projektligjit ‘Për Azilin në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 07/12/2020

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare  mori në shqyrtim projektligjin “Për faljen e detyrimeve të ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore, të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi’, nismë kjo, e  Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. Prezantimin e nismës përara komisionit e bëri Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, z. Kosta Bajraba. Për sa i përket nismës së Kryetarit, z. Ruçi, z. Bajraba sqaroi se: “Para disa vitesh, Kryetari i Kuvendit ka marrë një letër nga Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve dhe Atdhetarëve të Shqipërisë të cilët kërkonin eleminimin e një sërë padrejtësive sic ata i quanin, në sistemin e Sigurimeve Shoqërore për sa i përket pensioneve të parakohshme te gjithë pjesëtarëve te FA të Republikës së Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit i shqyrtoi me vëmendje pakënaqësitë e shprehura dhe u fokusua në zgjidhjen e një kërkese që ata kishin parashtruar, te cilën e quajti të mundshme dhe të domosdoshme për këtë fazë  , pra kërkesën që lidhet me faljen e detyrimeve të ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore, të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi, të caktuara sipas vendimeve gjyqësore të formës së prerë, bazuar në kriteret e Vendimeve Unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr 3 datë 24.11.2016. Falja e këtyre detyrimeve e bën skemën e pensioneve edhe më të drejtë si dhe shmang pasojat e disa vendimeve kontradiktore të Gjykatave në lidhje me pensionet e ushtarakëve me vjetërsi shërbimi ” sqaroi z. Bajraba

Relatori i projektit . Luan Duzha shtoi se qëllimi i këtij projektligji është t’i japë zgjidhje problematikës shumëvjeçare të ish ushtarakëve e shkaktuar prej një kuadri ligjor, jo konsistent, të qendrueshëm, i kontestuar qysh në fillimet e hartimit të tij dhe në vazhdimësi nga kjo kategori si dhe i gjykuar dhe rrëzuar disa herë nga gjykatat.

Pas diskutimeve dhe komenteve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektin në fjalë.

Më tej komisioni vijoi me diskutimin nen për nen të  projektligjit  ‘Për Azilin në Republikën e Shqipërisë”.


Share