Komisioni për Integrimin Europian miratoi katër projektligje

  • Postuar më, 14/12/2020

14 dhjetor 2020


 Komisioni për Integrimin Europian, në drejtimin e nënkryetares znj. Senida Mesi dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi dhe u miratoi katër projektligje.

Rendi i ditës nisi me shqyrtimin e projektligjit “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”, ku të ftuar ishin znj. Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, z. Nikolla Lera, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave Makroekonomike, z. Ergys Misha, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë Rregullatore si dhe z. Elvis Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të  Parave.

Në fjalën e saj znj. Vjero bëri një përshkrim të shkurtër të këtij projektligji, duke u ndaluar tek rëndësia, risitë dhe ndryshimet e propozuara në të. 

“Qëllimi i shqyrtimit të këtij projektligji synon përcaktimin e funksioneve të regjistrit të llogarive bankare, mënyrën e raportimit dhe të shfrytëzimit të të dhënave të llogarive bankare, si dhe aksesin e shfrytëzimin e këtij regjistri, me qëllim identifikimin e pasurive të dyshuara me prejardhje nga veprimtari kriminale, nëpërmjet transaksioneve bankare. Rregjistri do të përdoret pikërisht si një mjet për zbulimin, identifikimin e hetimin e veprimtarisë kriminale, ndjekjen penale të autorëve të veprave penale, zbulimin, gjurmimin ose identifikimin e pasurive të dyshuara me origjinë nga veprimtari kriminale, si dhe detyrimeve tatimore. Gjithashtu, përcaktohet se objekt i rregullimit të ligjit janë jo vetëm llogaritë bankare, por edhe kasetat e sigurisë të mbajtura nga klientët e institucioneve financiare. Akses në këtë regjistër do të ketë Drejtoria e  Përgjithshme për Parandalimin dhe  Pastrimin e  Parave, që do të vendoset me një vendim të Këshillit  të Ministrave”, sqaroi znj. Vjero. Lidhur me përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Europian zëvendësministrja shtoi se ky projektligj i përafrohet plotësisht direktivave.

Pas pyetjeve dhe  diskutimeve, anëtarët e këtij komisioni miratuan në parim dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Seanca dëgjimore vijoi me shqyrtimin e tre projektligjeve:  “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet RSH dhe Komisionit Evropian për Programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II Maqedoni e Veriut – Shqipëri 2014-2020 alokimet për vitin 2019”,  “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet RSH dhe Komisionit Evropian për Programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II Mal i Zi – Shqipëri 2014-2020 alokimet për vitin 2019” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet RSH dhe Komisionit Evropian për Programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II Kosovë – Shqipëri 2014-2020 alokimet për vitin 2019”.  I ftuar në këtë seancë dëgjimore për prezantimin e këtyre tre projektligjeve ishte z. Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë për anëtarësimin në BE, si dhe z. Redih Lleshi, Drejtor i Koordinimit të Programeve Rajonale dhe Kombëtare për fondet IPA në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.  Pas diskutimeve, komisioni i miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi të tre projekligjet në fjalë.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.


Share