Komisioni për Integrimin Europian miratoi projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”

  • Postuar më, 22/12/2020

22 dhjetor 2020

Komisioni për Integrimin Europian në drejtimin e kryetares znj. Rudina Hajdari dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, në mbledhjen virtuale të radhës mori në shqyrtim dhe miratoi projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.

Për paraqitjen e këtij projektligji ishte ftuar znj.Vasilika Vjero, zëvendësministre e  Financave dhe Ekonomisë, e cila mes të tjerave theksoi se ky projektligj synon transpozimin e pjesshëm të Direktivës 2009/133/EC, të datës 19.10.2009, “Për sistemin e përbashkët tatimor të zbatueshëm për bashkimin, ndarjen, ndarjen e pjesshme, transferimin e aktiveve dhe shkëmbimin e aksioneve midis shoqërive të shteteve të ndryshme anëtare dhe për transferimin e adresës së regjistruar të një SE-je ose SCE-je midis shteteve anëtare”, e cila parashikon shtyrjen e fitimeve të kapitalit për operacionet e përcaktuara nga kjo direktive, si dhe plotësimin e masave ligjore të parashikuara në kapitullin 16, “Tatimet”, të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2019-2020. 

Pas pyetjeve, diskutimeve dhe propozimeve për disa ndryshime të nevojshme për përmirësimin e dispozitave, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share