Komisioni për Sigurinë Kombëtare në mbledhjen e përbashkët me Komisionin për Ekonominë dhe Financat miratoi ndryshimet në ligjin "Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërrmarje të industrisë ushtarake"

  • Postuar më, 22/12/2020

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj Komisioni për Sigurinë Kombëtare  në mbledhjen e  përbashkët on line me Komisionin për Ekonominë dhe Financat mori në shqyrtim projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 9179 datë 29.01.2004 "Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërrmarje të industrisë ushtarake" të ndryshuar. I ftuar për të folur mbi projektligjin ishte z. Petro Koçi zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes. E pranishme gjithashtu ishte znj. Dajna Sorensen zëvendësministre në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Z. Koçi sqaroi se ligji nr.9179, datë 29.1.2004, e kufizoi të drejtën e kërkesës së subjekteve për t’u trajtuar financiarisht deri në datën 30.9.2004. “Afati i ri, brenda të cilit këta ish-punonjës duhet të aplikojnë për trajtim financiar, do të jetë 1.4.2021 dhe nga kjo përfitojnë 141 punonjës” sqaroi më tej z. Koçi. Relatorë të  projektligjit ishin z. Anastas Angjeli dhe znj. Artemisa Malo. Z. Angjeli në lidhje me projektligjin u shpreh se nëpërmjet këtij ndryshimi do të bëhet e mundur përfshirja në skemën e trajtimit të veçantë të një grupi ish-punonjësish të ndërmarrjeve ushtarake (Kombinatit Mekanik Poliçan, Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzinës Mekanike Gramsh, si dhe Uzinën e Riparimit të Avionëve në Kuçovë). “Ky projektligj thjesht zgjat afatin në të cilin ligji aktual shtrin efektet e tij” theksoi z. Angjeli. Edhe znj. Malo në cilësinë e relatores shprehu dakortësinë e saj me projektligjin. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, me shumicë votash, anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX


Share