Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi një Akt Normativ, një propozim nga Autoriteti i Konkurrencës dhe zhvilloi një seancë dëgjimore

  • Postuar më, 17/02/2021

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi Aktin Normativ Nr. 4, datë 05.02.2021 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 137/2020 "Për buxhetin e vitit 2021". Të ftuar ishin ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj, zëvendësministrja Adela Xhemali, z. Gentian Opre etj.

Ministrja Denaj në fjalën e saj u shpreh se arsyet për këtë ndryshim janë të lidhura ngushtësisht me procesin e Zgjedhjeve të Përgjithshme të datës 25 prill si një angazhim i qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj, dhe konkretisht lidhet me shpenzimet të cilat burojnë në zbatim të Kodit të Ri Zgjedhor.

Relatori i çështjes z. Anastas Angjeli theksoi: “ Zgjedhjet parlamentare janë shumë të rëndësishme, janë zgjedhje të cilat në duam të gjithë së bashku pozitë dhe opozitë, qeveria dhe parlamenti që të sigurojmë të gjitha kushtet me qëllim që të realizojmë zgjedhje të lira, demokratike dhe me standarde Evropiane, janë zgjedhje të cilat përcaktojnë vazhdimin e shtetit Shqiptar në rrugën e demokracisë dhe integrimit, e në këto kushte mendoj se është e domosdoshme mbështetja financiare”.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë Akt Normativ më votë.

Çështja tjetër e rendit të ditës ishte shqyrtimi i propozimit te ardhur nga Autoriteti i Konkurrencës mbi ndryshimin e Strukturës dhe Organikes te institucionit te Autoritetit te Konkurrencës. Të ftuar ishin kryetarja e Autoritetit të konkurrencës znj. Juliana Latifi dhe znj. Vitore Kristo drejtoreshë e drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse.

Znj. Latifi në fjalën e saj u shpreh se ka si qëllim përafrimin e strukturave të brendshme në realizimin e detyrave dhe më konkretisht riorganizimin e institucionit në disa drejtori të tij.

Pas diskutimeve të ndryshme, komenteve e sugjerimeve, anëtarët e komisionit e miratuan propozimin e ardhur nga Autoriteti i Konkurrencës, mbi ndryshimin e Strukturës dhe Organikes te institucionit te Autoritetit te Konkurrencës.

Mbledhja vazhdoi me një seancë dëgjimore me kandidatët vetë ofruar per pozicionin e Anëtarit te  Komisionit të Konkurrencës, shpallur vakant me Vendim Nr. 1, Datë 21.1.2021. 

Tre kandidatët e vetë ofruar z. Pajtim Melani, znj. Zhaklina Peto dhe z. Denar Biba, ku dy prej të cilëve z. Denar Biba dhe z. Pajtim Melani prezantuan kandidaturën e tyre para komisionit, ndërsa kandidatja znj. Zhaklina Peto nuk u paraqit në këtë mbledhje.

Pas prezantimeve të dy kandidatëve z. Biba dhe z. Melani, në vazhdim të procedurave sipas ligjit kandidatura që plotëson kushtet dhe merr 28 firma për t’u paraqitur në kuvendin e Shqipërisë dhe për t’u votuar.  

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës së komunikimit online “Cisco Webex”.



Share