Komisioni për Sigurinë Kombëtare rrëzoi një Dekret të Presidentit

  • Postuar më, 11/03/2021

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, mori në shqyrtim dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11981, datë 26.02.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 15/2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Të ftuar për të dhënë argumentat mbi dekretin e Presidentit ishin z. Petro Koçi, zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes dhe kolonel Bilbil Bitri, përfaqësues i MM, si dhe z. Bledar Dervishaj, përfaqësues i institucionit të Presidentit. Z. Dervishaj mes argumentave të paraqitur theksoi se: “Nga shqyrtimi i përmbajtjes së ligjit nr. 15/2021, dhe praktikës parlamentare, me keqardhje konstatohet se kjo nismë ligjore, me kaq rëndësi për Forcat e Armatosura dhe që nisur nga parashikimet në dispozita të caktuara, do të sjellë impakt afatgjatë në përbërjen dhe ecurinë në karrierën e ushtarakëve, nuk është konsultuar paraprakisht me vetë ushtarakët, dhe as me Presidentin e Republikës, si Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura”.

Sipas z. Dervishaj, duhet evidentuar se Gjykata Kushtetuese, në Vendimin nr. 64, datë 26.09.2015, është shprehur ndër të tjera se: si rregull, konsultimi i një projektligji me organet që përfshihen ose preken nga fusha e rregullimit të tij është pjesë e procesit ligjvënës. “Presidenti i Republikës, të cilit Kushtetuta i ka njohur disa funksione si në procesin legjislativ dhe atë të Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, me tagër të posaçëm në dhënien e gradave madhore dhe emërimin e drejtuesve të forcave tokësore, detare, dhe ajrore, dhe është një prej organeve që së bashku me Ministrin e Mbrojtjes dhe Kryeministrin, kanë kryer veprimtarinë e tyre në zbatim dhe të parashikimeve të ligjit nr. 59/2014, objekt shqyrtimi. Në këtë mënyrë, ishte e detyrueshme për Qeverinë që përgjatë fazës së hartimit të draftit fillestar, të ishte thirrur për konsultime paraprake në mënyrë që të shprehej duke dhënë kontributin e tij institucional me qëllim përmirësimin e normës”, u shpreh Dervishaj. Në përfundim të argumentimit të Presidentit, z. Dervishaj theksoi se çdo ndryshim ligjor, që cënon rritjen e nivelit të përgatitjes së trupës ushtarake profesioniste të Forcave të Armatosura, do të cënonte kredibilitetin e Shqipërisë si vend anëtar i aleancave strategjike që kanë trupa ushtarake me nivel më të lartë.

Nga ana e tij z. Petro Koçi kundërargumentoi se projektligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, sjell një sërë risish për mënyrën sesi trajtohet karriera e ushtarakut dhe cilësoi se këto ndryshime janë mirëpritur në masën e gjerë të ushtarakëve të të gjitha gradave. Pas diskutimeve dhe votimit kundër të shumicës së anëtarëve, komisioni rrëzoi Dekretin në fjalë.


Share