Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi tre projektligje

  • Postuar më, 19/03/2021

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes “Për ndryshimin dhe rivendosjen e marrëveshjes nr.1 në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit të datës 11 janar 2016, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit dhe sektorit të turizmit, BERZH - Shqipëri, llogari bashkëpunimi””.

E ftuar për këtë projektligj ishte znj.Milva Ekonomi, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila në prezantimin e këtij projektligji u shpreh se ka për qëllim ndryshimin e marrëveshjes ekzistuese të bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim.

“Në këtë marrëveshje vjen një ndryshim, e cila përveçse mbulon fushën e bujqësisë shkon edhe në fushën e turizmit, si sektori që ka qenë i prekur gjatë vitit pandemik.”, theksoi znj. Ekonomi.

Pas diskutimeve, komenteve e sugjerimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Çështja tjetër e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e vitit 1988 në lidhje me konventën ndërkombëtare për sigurinë e jetës në det, 1974”. I ftuar për këtë projektligj ishte zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Etjen Xhafaj, ku në fjalën e tij u shpreh se ky projektligj ka si qëllim vetëm aderimin e Protokollit të vitit 1988 të Konventës SOLAS, aderuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr.9213, datë 1.4.2004 dhe nuk sjell nevojë për ndryshim strukture, shtimin e personelit apo të pajisjeve të institucioneve zbatuese. Pas diskutimeve ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja e komisionit vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve (DKTI)”. Pas komenteve, pyetjeve e sugjerimeve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

 


Share