Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi një projektligj

  • Postuar më, 19/03/2021

Në drejtimin e zëvendëskryetares, znj. Klodiana Spahiu, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në mbledhjen e sotme, zhvilluar online, mori në shqyrtim Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Aleancës GAVI për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (COVAX FACILITY) miratuar me ligjin nr. 134/2020”, 

Për të bërë shpjegimin e projektaktit, të pranishme në komisionin ishin znj. Mira Rakacolli, zëvendësministre në ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe znj. Geraldina Prodani Sekretare e Përgjithshme, e kësaj ministrie. 

Znj. Prodani, shpjegoi se Aleanca GAVI, përmes këtyre ndryshimeve, ka propozuar që në vend që GAVI të kërkojë heqje dorë sa herë që një furnizues vaksine i ofrohet një pjesëmarrësi, një ndryshim në marrëveshjen aktuale të angazhimit për të rregulluar statusin e autorizimeve të përdorimit emergjent. Ky ndryshim, sipas znj. Prodani, lejon të përshpejtohet caktimi i vaksinave, që kanë marrë autorizimin e përdorimit emergjent, në mënyrë që, të mos vonohet me alokimin e tyre. Relatorja e projektit, znj. Edlira Bode shprehu dakortësinë e saj, për sa i përket ndryshimeve të propozuara. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi, marrëveshjen në fjalë.


Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX


Share