Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi 5 Akte Normativ. Në nisje të mbledhjes homazh për deputetin Bashkim Fino

  • Postuar më, 12/04/2021

12 prill 2021

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit z.Ulsi Manja, në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi dhe miratoi 5 akte normative. Në nisje të mbledhjes së komisionit, kryetari Manja bëri një homazh për punën e deputetit Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë si pasojë e Covid-19. “Sot në këtë mbledhje komisioni mungon njëri prej nesh, një njeri i pazëvendësueshëm për gjithë kontributin e tij në vitet e vështira të Shqipërisë, por edhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe posaçërisht anëtar i Komisionit të Ligjeve. Mungon Bashkim Fino!”, u shpreh i përlotur z.Manja. Më tej në kujtim dhe në nderim të deputetit Bashkim Fino, u shfaq një video- galeri me disa prej momenteve nga veprimtaria parlamentare e tij, e përgatitur nga anëtarët e komisionit të Ligjeve. Mbledhja vijoi me rendin e ditës, ku fillimisht në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua Akti Normativ nr. 8 “Për disa ndryshime në ligjin nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar”, për të cilin ishte ftuar znj.Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, si dhe znj.Mimoza Dhëmbi, Drejtore e Përgjithshme e Buxhetit në këtë ministri. Znj.Xhemali gjatë prezantimit të Aktit Normativ për rishikimin e buxhetit për vitit 2021, sqaroi se ndryshimi erdhi si nevojë për sigurimin e fondit të nevojshëm nëpërmjet një ndryshimi në shpenzimet buxhetore, për përballimin e shpenzimeve për blerjen e vaksinës nga kompania turke "Keymen Ila9 Sanayi ve Ticaret", A.S. të krijuar nga Sinovac Life Science Co, Ltd. dhe të prodhuar në Kinë.  Deputetja Klotilda Bushka, në cilësinë e relatores u ndal tek nevoja dhe urgjenca e Aktit Normativ. Pas diskutimeve, komisionit miratoi në parim dhe në tërësi aktin normativ në fjalë.  Më pas u vijua me shqyrtimin e 2 Akteve Normative, atij nr. 9 “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “ Keymen Ilac Sanayi ve Ticaret:, A.S, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër Covid-19 (Vero Cell) Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science CO, LTD. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës” dhe Aktit Normativ nr. 10 “Për miratimin e marrëveshjes së nënshkruar, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “ Keymen Ilac Sanayi ve Ticaret:, A.S, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër Covid-19 (Vero Cell) Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science CO, LTD. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës”. Të ftuar në mbledhjen e komisionit për këto dy akte normative ishin znj.Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe znj.Gleradina Prodani, Sekretare e Përgjithshme në këtë ministri. Zëvendëministrja Rakacolli shpjegoi paraprakisht se të dyja marrëveshjet  janë të lidhura, pasi bëhet fjalë një për miratimin e tekstit dhe tjetra për nënshkrimin e marrëveshjes. Znj. Rakacolli sqaroi se qeveria shqiptare me qëllim parandalimin e infektimit nga Sars-Cov-2, ka bërë përpjekje maksimale për sigurimin e vaksinave anti-covid. Aktualisht është furnizuar nga kompanitë “Pfizer” dhe “AstraZeneca”, por zhvillimet në dinamikë të procesit të vaksinimit kanë bërë që shumë vende, përfshi dhe Shqipërinë, të kenë vëmendje të shtuar edhe ndaj vaksinave të tjera të prodhuara në Kinë apo Rusi.  Deputetja Vasilika Hysi, në cilësinë e relatores shprehu dakortësinë e saj dhe ftoi anëtarët e komisionit t’i miratojnë marrëveshjet në fjalë. Në përfundim anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi dy marrëveshjet.

Po në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, komisioni shqyrtoi Aktin Normativ nr. 11 ”Për një ndryshim në ligjin 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar”, i cili u prezantua nga z.Besfort Lamallari,zëvendësministër i Brendshëm. Z. Lamallari sqaroi qëllimin dhe synimet e këtij projekt-akti, duke sqaruar se “Për të shmangur grumbullimet publike të shtetasve për marrjen e shërbimit në sportelet e gjendjes civile si dhe në zyrat e kompanisë “Aleat” për aplikimin dhe marrjen e letërnjoftimeve në situatën e krijuar për shtetasit që nuk kanë një letërnjoftim të vlefshëm, propozohet që afati i vlefshmërisë së letërnjoftimeve të pavlefshme të zgjatet deri në datën 30./4/2021, për shkak të mundësimit të ushtrimit të së drejtës Kushtetuese të votës”. Në përfundim anëtarët miratuan ndryshimet e propozuara në aktin normativ në fjalë.  I fundit në rendin e ditës ishte Akti Normativ nr. 12 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i cili u prezantua nga z.Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë. Z.Kadia sqaroi se qëllimi i projekt-aktit është zgjatja e afatit deri më 30.06.2021 për subjektet raportuese për të regjistruar pronarin e tyre përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues si dhe të afatit të dokumentacionit shoqërues për regjistrimin dhe ndryshimin e të dhënave pranë RPP. Pas disktuimeve, komisioni miratoi në parim dhe në tërësi aktin normativ në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare të radhës.


Share