Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli priti në takim Sekretarin e Shtetit të MPJE të Sllovakisë, z. Martin Klus

  • Postuar më, 05/05/2021

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli priti Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europën të Republikës së Sllovakisë, z. Martin Klus. Tema kryesore e takimit ishte stadi aktual dhe e ardhmja e proceseve integruese të Shqipërise në BE.

Znj. Kodheli shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë Shqipërisë në këtë kuadër dhe nevojën e përshpejtimit të proceseve integruese, si për Shqipërinë, ashtu dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si një trend i cili nuk duhet të zbehet. Më tej znj. Kodheli bëri një pasqyrë të situatës në Shqipëri dhe progresit të saj në drejtim të forcimit të demokracisë, Reformës në Drejtësi dhe së fundmi, zhvillimit paqësor e normal të zgjedhjeve parlamentare.

Z. Martin Kus falenderoi për mikpritjen dhe e siguroi znj. Kodheli për qendrimin e qartë të vendit të tij në favor të zgjerimit e më specifikisht për mbajtjen sa më parë të Konferencës së parë Ndërqeveritare midis BE-së, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai e përgëzoi znj. Kodheli për zhvillimin e qetë dhe paqësor të zgjedhjeve dhe për fitoren e forcës politike, të cilës ajo i përket si dhe shprehu optimizmin për vijimin e punës për konsolidimin e arritjeve dhe përshpejtimin e proceseve drejt integrimit europian.     

Gjatë takimit bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi mundësitë për rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve e veçanërisht atij ndërparlamentar, si dhe mbi situatën në rajon e më gjerë.  


Share