Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi kërkesën e 49 deputetëve për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës

  • Postuar më, 05/05/2021

5 maj 2021

Në drejtimin e kryetarit, z.Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi kërkesën e 49 deputetëve të Kuvendit për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës.

Në nisje të mbledhjes, z.Manja parashtroi se kërkesa e më shumë se 1/4 të deputetëve është e bazuar në nenin 90/2 të Kushtetutës së Republikës dhe 112 të Rregullores së Kuvendit dhe i është bërë e ditur zyrtarisht Presidentit të Republikës, i cili ka kërkuar nga Komisioni i Ligjeve të parashtroi qëndrimin e tij më datën 10 maj.

Deputetët znj.Vasilika Hysi dhe z.Ervin Bushati, parashtruan nismën në emër të grupit të 49  deputetëve firmëtarë.  Znj.Hysi theksoi ndër të tjera se sipas nismëtarëve, Presidenti gjatë dhe pas procesit zgjedhor të 25 prillit 2021, ka shkelur rëndë dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën, ka cënuar ndjeshëm besueshmërinë e qytetarëve në rolin e Kreut të Shtetit dhe nuk ka kryer detyrën e tij kushtetuese.

“Presidenti i Republikës në rolin e Kreut të Shtetit shqiptar, i cili duhet të garantojë Kushtetutën dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar, nuk e ka ushtruar funksionin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar, pra nuk ka qenë mbi palët, nuk e ka mbrojtur këtë unitet , madje e ka dëmtuar atë”, u shpreh znj.Hysi në emër të nismëtarëve, duke shtuar më tej se Presidenti para dhe pas fushatës, madje dhe ditën e heshtjes zgjedhore, ka bërë deklarata të rënda publike, me gjuhë urrejtje, që nxisnin konfliktin dhe ka kryer haptazi aktivitet partiak.

Më tej z.Bushati shtoi se: “Në mënyrë të përsëritur ne vijmë sot prapë në të njëjtin vend që kemi ardhur dhe para 2 vitesh, ndaj mendoj që kolegët që do shqyrtojnë pasi relatorja të paraqesë të gjitha faktet që ne kemi gjetur si grup parlamentar, ta marrim parasysh më shumë seriozitet, jo vetëm për rastin në fjalë, por sepse një herë e mirë, ky Kuvend, themeli i një Republike Parlamentare duhet të vendosë precedentin. Presidenti i Republikes jo vetëm duhet të jetë larg politikës,  jo vetëm duhet të flasë me gjithë shqiptarët, por duhet të jetë në radhë të parë i pari që ruan Kushtetutën, ruan ligjin, integritetin e shoqërisë dhe të Republikës dhe nuk mund të lejojmë të përsëriten në të ardhmen aventura të tilla presidenciale politike, të cilat dëmtojnë themelin e Republikës së Shqipërisë, shoqërisë dhe harmonisë shoqërore në Shqipëri”.

Pas diskutimeve, u vendos që mbledhja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të zhvillohet më datë 6 maj, ora 11:00 , ku Presidenti i Republikës do të shprehet në komision për kërkesën e 49 deputetëve dhe jo më datën 10 maj siç ishte kërkuar prej tij.


Share