Kërkesa e 49 deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Komisioni i Ligjeve miraton raportin për ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor

  • Postuar më, 06/05/2021

6 maj 2021

Në drejtimin e kryetarit, z.Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, vijoi me shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës.  Në nisje të mbledhjes, z.Manja sqaroi se Presidenti i Republikës, i njoftuar zyrtarisht lidhur me nismën e më shumë se 1/4 e deputetëve, ka njoftuar zyrtarisht se nuk mund të paraqitej në komision, me argumentin se e kishte të pamundur të anulonte agjendën e punës, si dhe për shkak të kohës së pamjaftueshme të vënë në komision.

Deputetja Klotilda Bushka në cilësinë e relatores parashtroi draft-raportin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe theksoi se kërkesa e 49 deputetëve vjen në përputhje me nenin 90/2 të Kushtetutës si dhe nenin 112 të Rregullores së Kuvendit. Znj. Bushka vlerësoi se shkarkimi është kërkuar nga më shumë se kouroumi i kërkuar nga Kushtetuta dhe se kërkesa është në vetvete një panoramë e qartë e vlerësimit të deputetëve për shkelje të rënda, flagrante dhe në mënyrë të përsëritur të Kushtetutës nga Presidenti para dhe gjatë fushatës zgjedhore të prillit 2021, si dhe ditën e heshtjes zgjedhore. “Vlerësoj se kërkesa e 49 deputetëve plotëson kriteret formale proceduriale, është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe i propozoi kolegëve të nderuar të këtij komisioni që të miratojmë propozimin për ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor parlamentar për verifikimin e shkeljeve të rënda që pretendohet se janë kryer nga ana e Presidentit të Republikës sipas kërkesës së paraqitur nga 49 kolegët tanë deputetë”, përfundoi znj.Bushka.

Pas diskutimeve, me 14 vota pro, Komisioni miratoi raportin për ti propozuar seancës plenare ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor parlamentar për të hetuar mbi kërkesën e 49 deputetëve,  që kërkojnë shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të rëndë të Kushtetutës.


Share