Kuvendi në seancë plenare, miratohen gjashtë akte normative, një projektligj, tre projektvendime dhe rrëzohen nëntë dekrete të Presidentit të Republikës

  • Postuar më, 07/05/2021

7 maj 2021

Kuvendi, në drejtimin e Kryetarit, z. Gramoz Ruçi, miratoi në seancën e sotme plenare gjashtë akte normative në vijim të sigurimit të vaksinave për procesin e vaksinimit antiKovid, një projektligj me disa ndryshime në Kodin Rrugor dhe tre projektvendime, njeri prej të cilëve “Për miratimin e raportit dhe propozimit të komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për ngritjen e një komisioni hetimor, bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës”. Seanca e sotme plenare, në bllok, rrëzoi nëntë dekrete të ardhura në Kuvend nga Presidenti i Republikës.

Gjashtë aktet normative

Seanca, në vijim të procesit të vaksinimit të popullatës dhe sigurimit të vaksinave nga prodhues ndërkombëtarë, miratoi pesë akte normative, aktet me numrat 14, 15, 16, 17, 19, dy prej të cilëve, me nr. 14 dhe nr. 15, si ndryshime të akteve të mëparshme dhe tre të aktet e tjera, nr. 16, nr. 17 dhe nr. 19 si marrëveshje të reja, ndërsa akti nr. 18, si ndryshim në buxhet.  

Akti normativ nr. 14, datë 7.4.2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 9, datë 22.3.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes, ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “KEYMEN ILAÇ SANAYI VE TICARET”, A.S, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19 (VERO CELL) CORONAVAC, të krijuar nga SINOVAC LIFE SCIENCE CO, LTD dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës”, u miratua me 96 vota pro, kundër 3, abstenim 6.

Akti normativ nr. 15, datë 07.04.2021 “Për një ndryshim në aktin normativ nr. 1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT B.V. dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave ANTICOVID-19 në Republikën e Shqipërisë, si dhe përdorimin e tyre në popullatë”, miratuar me ligjin nr. 2/2021”, të ndryshuar” mori mbështetjen me 98 vota pro, 2 kundër, 4 abstenim.

Akti normativ nr. 16, datë 7.4.2021 ”Për miratimin e tekstit të marrëveshjes, ndërmjet “HUMAN VACCINE” LLC dhe ministrisë të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin të Shqipërisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën kundër COVID-19 “SPUTNIK V”, të zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Kërkimit GAMALEYA për epidemiologjinë dhe mikrobiologjinë në Rusi”, u votua me 97 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenim.

Akti normativ nr. 17, datë 8.4.2021 “Për miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së furnizimit të nënshkruar ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “KEYMEN ILAÇ SANAYI VE TICARET” A.S”, u miratua me 96 vota pro, 3 kundër dhe 6 abstenim.

Akti normativ nr. 18, datë 14.4.2021 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021” të ndryshuar”” u miratua me 96 vota pro, 6 kundër dhe 2 abstenim.

Akti normativ nr. 19, datë 16.4.2021 “Për miratimin e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet “Human Vaccine” LLC dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin të Shqipërisë dhe Institutit të Shëndetit Publik për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën kundër COVID-19 “Sputnik V” të zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Kërkimit GAMALEYA për epidemiologjinë dhe mikrobiologjinë në Rusi” gjeti miratimin nga seanca me 97 vota pro, 3 kundër dhe 5 abstenim.

Projektligj

Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, i cili synonte përmirësimin e dispozitave të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë duke i bërë të aplikueshme kërkesat e këtij Kodi në raport me zhvillimet e transportit rrugor, parandalimit më efikas të aksidenteve rrugore dhe ndjekjen e tendencave pozitive të legjislacioneve rrugore të vendeve të BE-së, duke sjellë ndryshime që kanë të bëjnë me ndryshimet në zhvillimin e rrjetit rrugor, përhapjen dhe zhvillimin e sistemeve të sinjalizimeve rrugore vertikale de horizontale, futjen e teknologjive digjitale në ndërthurje me sistemet klasike, u miratua me 91 vota pro, 4 kundër dhe 6 abstenim.

Nëntë dekretet e rrëzuara

Seanca e sotme shqyrtoi dhe rrëzoi në bllok me shumicë votash të nëntë dekretet e ardhura nga Presidenti i Republikës. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 13.017, datë 12.04.2021, “Për kthimin e ligjit nr. 46/2021, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” u rrëzua me 88 vota kundër, 6 pro dhe 8 abstenime.

 Dekreti nr. 13.035, datë 16.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 43/2021 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””, u rrëzua me 90 vota kundër, 5 pro dhe 7 abstenime.   

Me 91 vota kundër, 6 pro dhe 6 abstenim u rrëzua dekreti nr. 13.036 datë 16.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 47/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” të ndryshuar””.

Me 91 vota kundër, 6 pro dhe 6 abstenime u rrëzua edhe dekreti nr. 13.037 datë 19.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 48/2021 “Për një ndryshim në ligjin nr. 25/2019 “Për organizimin funksionimin e Policisë Gjyqësore”.

Dekreti nr. 13.033 datë 16.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 49/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” të ndryshuar”’ u rrëzua me 90 vota kundër, 5 pro dhe 8 abstenime.

Dekreti nr. 13.034, datë 16.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 42/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” u rrëzua me 90 vota kundër, 7 pro dhe 7 abstenime.

Dekreti nr. 13.031, datë 15.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 41/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”’ mori 91 vota kundër, 6 pro dhe 7 abstenime e si i tillë u shfuqizua.

Dekreti nr. 13.032, datë 15.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 44/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8116, datë 29.03.1996 “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë” mori 92 vota kundër, 6 pro dhe 6 abstenime, duke u shfuqizuar. 

Me 92 vota kundër, 5 pro dhe 6 abstenime u rrëzua dekreti i Presidentit të Republikës nr. 13.023, datë 14.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 45/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar””.

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 13.038 datë 19.04.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 50/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”’ u rrëzua me 91 vota kundër, 6 pro, 7 abstenime.

Tre projektvendimet e miratuara

Projektvendim “Për miratimin e raportit dhe propozimit të komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për ngritjen e një komisioni hetimor, bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës”, mori edhe vëmendjen më të madhe të diskutimeve parlamentare të seancës së sotme plenare. Deputetët e opozitës parlamentare, z. Gjoni dhe z. Myrrizi, e konsideruan farsë këtë çështje, ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e konsideroi Presidentin e Republikës si nxitës të konfliktit politik në vend, shkelës të Kushtetutës dhe nxiti vijimësinë e komisionit hetimor për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Në përfundim të diskutimeve, ky projektvendim u miratua me 98 vota pro, 5 kundër, 2 abstenim.

Projektvendimi “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” u miratua me 97 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim.

Projektvendimi tjetër, “Për zgjedhjen e 4 anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar”, mori miratimet e seancës plenare sipas kandidatëve, përkatësisht me këto rezultate: znj. Milena Selimi (92 pro, 1 kundër, 7 abstenime), z. Thanas Goga (92 pro, 1 kundër, 8 abstenime), z. Gëzim Podgorica (96 pro, 1 kundër, 4 abstenime) dhe z. Ëngjëll Ndocaj (96 pro, 2 kundër, 4 abstenime), si anëtarë të KDRTSh-së me mandat 5-vjeçar.

Në vijim të masave protokollare antiKovid edhe seanca e sotme u zhvillua në kushte të posaçme.

 


Share