Komisioni i Integrimit Europian miratoi ndryshimet në ligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”

  • Postuar më, 10/05/2021

10 maj 2021

Komisioni i Integrimit Europian në drejtimin e nënkryetares, znj.Senida Mesi dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.48/2014 ‘Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”.  Të ftuar për prezantimin e nismës ishin z.Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, si dhe stafi teknik i MFE.  Z.Kadia sqaroi se projektligji ka për qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së në kuadër të  anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian  dhe se ndryshimi konsiston në shfuqizimin e nenit 8 të ligjit nr. 48/2014. Sipas zëvendësministrit ndryshimi i ligjit synon funksionimin e duhur të tregut të brendshëm në Shqipëri, duke nxitur aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve tregtare dhe në veçanti atyre të vogla dhe të mesme. Më konkretisht projekt-akti ka ndryshuar përcaktimin e rregullave për afatet e pagesave të vonuara në rastet e furnizimit me mallra apo shërbime nga ana e ndërmarrjeve tregtare kundrejt autoriteteve publike për rastet specifike siç është rasti i transaksioneve tregtare në fushën e shëndetësisë, duke ndryshuar afatin e pagesës nga 1 vit kalendarik në 60 ditë kalendarike në përputhje me nenin 4, të direktivës 2011/7/BE të Parlamentit Europian dhe Këshillit, të datës 16 shkurt 2011 “Për luftën kundër pagesës me vonesë në transaksionet tregtare”. Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua nëpërmjet platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.


Share