Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 11/05/2021

11 maj 2021


Komisioni për Politikën e Jashtme, në drejtimin e kryetares, znj. Mimi Kodheli, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi miratoi në seancën e sotme dy projektligje:  "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2019, për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)” dhe “"Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal”. Të dy projektligjet vinin si fazë paraprake e dy marrëveshjeve kuadër, sipas të cilave, në total, Shqipëria siguron 60 milionë euro kredi të butë nga KFW dhe 3 milionë euro grante.  

Të dy projektligjet u paraqitën në komision nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, z. Ilir Bejtja. Lidhur me projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2019, për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)”, zëvendësministri Bejtja u shpreh se projekti është pjesë e një programi të madh të rehabilitimit të hidrocentralit, që ka nisur në 2019-n. Ky projekt është pjesë e projektit të rehabilitimit të turbinave 1 dhe 3, ndërsa më herët është punuar në turbinat 2 dhe 4. Zëvendësministri shtoi po ashtu se totali i kredisë së siguruar për marrëveshjen e parë është 40 mln euro kredi e butë dhe 2 mln euro grant. Z.Bejtja shtoi gjithashtu se kjo është marreveshjë kuadër, dhe do të pasohet nga marrëveshja e kredisë ku do të vijnë teknikalitetet, periudha e financimit, interesat dhe modalitetet e tjera. Edhe relatorja për komisionin, znj. Eglantina Gjermeni, e vlerësoi projektligjin dhe ndikimin pozitiv që ky projekt kishte në sistemin e hidroenergjisë, sespe rehabilitonte agregatët e HEC-it të Fierzës, të instaluar 39 vjet më parë e në gjendje kritike. Me dakordësi të plotë, në përfundim të diskutimeve për projektligjin, komisioni e miratoi këtë marrëveshje kuadër.

Zëvendësministri Bejtja vijoi me projektligjin e dytë, “"Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal”. Ai u shpreh se projekti vjen në të njëjtën linjë me pjesën e parë të financimit, brenda të njejtit program kuadër, ku bëhet fjalë për një financim 20 milionë euro në fushën e zhvillimit rajonal, me synim rritjen e potencialeve turistike për nxjerrjen në pah të vlerave, e ku në vëmendje janë tri bashki: Himarë, Pogradec dhe Pustec. Në brendinë e këtij projekti përfshihet rikualifikimi i qendrave, i objekteve të rëndësisë së veçantë kulturore, apo natyrore, rikualifikime godinash private që kthehen në objekte atraksioni për turistët si dhe në të njejten kohë përmirësime infrastrukturore, që i takojnë rikualifikimit të qendrave të qyteteve, fshatrave apo komunave, nga rrjetet elektrike, infrastruktura e ujrave dhe kanalizimeve. Zëvendësministri theksoi se programi është më i madh se kaq, ai i kalon 50 mln euro, por kjo marrëveshje siguron 20 mln euro kredi të butë, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga burime të tjera. Përveç kësaj, sigurohen edhe 1 milionë euro grant nga kjo marrëveshje. Për komisionin këtë projektligj e relatoi deputeti Andrea Marto, që çmoi se projekti mbështet zhvillimet në infrastrukturë dhe shërbime publike, si edhe ndihmon zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor.

Në zbatim të masave të posaçme të nevojshme në kushtet e pandemisë, edhe seanca e sotme e komisionit për Politikën e Jashtme u zhvillua virtualisht përmes platformës “Cisco Webex”. 


Share