U paraqitën në Komisionin për Ekonominë dhe Financat dy raportime të rëndësishme

  • Postuar më, 11/05/2021

Në drejtimin e kryetarit z. Anastas Angjeli, komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi sot mbledhjen për paraqitjen e raportit të veprimtarisë vjetore të Autoritetit te Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin ushtrimor 2020. Të ftuar ishin z. Ervin Mete drejtor i AMF, znj. Violanda Theodhori drejtoresha e departamentit të Çështjeve Juridike dhe Licensimit dhe znj. Lyela Rama drejtoresha e departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut të Sigurimeve.

Drejtori ekzekutiv i AMF z. Mete në prezantim të raportit u shpreh se viti 2020 duke u cilësuar si një vit i pazakontë nga pasojat e gjithanshme të pandemisë, që sollën ndikime edhe në tregjet e mbikëqyrjes së Autoritetit Financiar, si edhe efekti vazhdues i tërmetit të vitit 2019 , ishin dy elementë kyç në ndikim kryesor jo vetëm në shoqëritë që operojnë në tregjet financiare por edhe për vetë AMF.

“Megjithatë në një vështrim të përgjithshëm tregjet në mbikëqyrjen e AMF shfaqen rezistencë gjatë 2020 ndaj efekteve të pandemisë dhe paraqiten të qëndrueshëm me tregues të mirë të likuiditetit dhe të shëndetit financiar.”, theksoi z. Mete.

Gjithashtu z. Mete, renditi se totali i aseteve në këto tregje u rrit në 1.5% si edhe tregu i sigurimeve e përballoi me sukses faturën financiare të dëmeve të tërmetit të fund vitit 2019 ku shumica e praktikave të dëmshpërblimit janë paguar në vitin 2020.

Kryetari i komisionit z. Angjeli në fjalën e tij tha se gjatë vitit 2020 situata në tregjet financiare u paraqit e stabilizuar pa efekte negative në sistemin financiar në tërësi edhe pse në kushte vështirësie që kaloi vendi dhe ekonomia shqiptare.

Po ashtu, ditën e sotme komisioni vazhdoi mbledhjen mbi raportimin e veprimtarisë vjetore të Institutit te Statistikave për vitin ushtrimor 2020. Të ftuar për këtë çështje ishin znj. Elsa Dhuli drejtore e INSTAT, znj. Kesiana Halili sekretare e përgjithshme, znj. Helda Mitre nga drejtoria e Përgjithshme e Teknologjisë së Informacionit dhe Mbledhjes së të Dhënave, z. Maldi Dema drejtor i Çështjeve Ligjore dhe Koordinimit etj.

Znj. Dhuli në prezantim të raportit u shpreh se INSTAT ka kontribuar në standardizimin e metodologjive, garantimit të konfidencialitetit, modernizimit të infrastrukturës për përpunim statistikor dhe vizualitetit të produkteve statistikore.

“Pavarësisht kushteve të krijuara për shkak të pandemisë, agjencitë statistikore realizuan në masën 95.4% kryerjen e aktiviteteve statistikore të planifikuara në program, ku nga 131 aktivitete u realizuan 125 prej tyre, ndërsa 6 nuk e mbyllën ciklin brenda kohës së planifikuar.”, vuri në dukje drejtoresha e INSTAT.

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës së komunikimi online “Cisco Webex”.

 


Share