Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje për ratifikimin e dy marrëveshjeve me KfW

  • Postuar më, 11/05/2021

11 maj 2021

Në drejtimin e kryetarit, z.Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi dy projektligje dhe projekt-Rezolutën për vlerësimin e punës së zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për periudhën shkurt-dhjetor të vitit 2020.

Fillimisht në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2019, për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)”, i cili u prezantua nga z.Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe stafi teknik i MIE dhe KESH dhe u relatua nga deputeti Edmond Leka. Zëvendësministri Bejtja sqaroi se projektligji mundëson marrjen e një huaje me kushte të favorshme nga KfW-ja, për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)”, në vlerën 40 milionë euro, si dhe marrjen e një financimi prej 2 milionë eurosh për masat e nevojshme shoqëruese për zbatimin dhe mbikëqyrjen e projektit.  “Programi i rehabilitimit të kaskadës së hidrocentralit të Fierzës është në vazhdim dhe burimet e financimit janë disa. Me KfW është mbyllur rehabilitimi i HEC Fierzë, agregati 1 dhe 3. Gjithë programi është mbi 150 milionë euro në total dhe vetëm kjo pjesë është 40 milionë euro dhe 2 milionë euro janë grant shoqërues financimi, për qëllime supervizioni, mbikëqyreje, projektim, etj. Interesat dhe modalitetet e shlyerjes nuk janë përcaktuar ende, sepse jemi në fazën e miratimit të programit kuadër”, sqaroi z.Bejtja.  Deputeti Edmond Leka gjatë relatimit të tij theksoi se projekti do të ndikojë në rehabilitimin e agregateve të Hidrocentralit të Fierzës, të cilat janë instaluar 39 vjet më parë dhe janë në gjendje kritike, si dhe vlerësoi se nga pikëpamja procedurale projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Pas diskutimeve dhe pyetjeve të ndryshme, komisioni miratoi projekt-aktin në parim, nen për nen dhe në tërësi me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Po një cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u vijua me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal”. Të ftuar në mbledhjen e komisionit për prezantimit e projektligjit ishin z.Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe z.Gentian Kerri, zëvendësdrejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Zëvendësministri Bejtja sqaroi se marrëveshja mundëson marrjen e një kredie të butë prej 20 milionë eurosh nga KfW për zbatimin e projektit ‘Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal”, me qëllim mbështetjen e investimeve në infrastrukturë dhe shërbime publike, të tri bashkive: Pogradec, Puctes dhe Himarë, të cilat janë përzgjedhur në bazë të potencialit të lartë turistik, por edhe të problematikave që mbartin këto territore. Pas diskutimeve, projekligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.  

Më tej në cilësinë e komisionit përgjegjës u vijua me shqyrtimin e projekt-rezolutës për vlerësimin e punës së zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për periudhën shkurt-dhjetor të vitit 2020. I ftuar në mbledhjen e komisionit ishte z.Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë dhe znj.Linda Rusmali, këshillltare pranë ILD-së. Projekt-rezoluta u prezantua për komisionin nga relatori Adnor Shameti dhe përbëhet nga dy pjesë, ku në të parën përmblidhen të gjitha vlerësimet për veprimtarinë dhe punën e deritanishme të këtij institucioni tepër të rëndësishëm  të drejtësisë dhe në pjesën e dytë janë rekomandimet e Kuvendit për përmirësimin e punës në të ardhmen. Pas diskutimeve dhe sygjerimeve të ndryshme, miratimi i projekt-rezolutës u shty për mbledhjen e radhës së komisionit. 


Share