Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi tre projektligje dhe dy draft-rezoluta

  • Postuar më, 12/05/2021

Në drejtimin e kryetarit z. Anastas Angjeli, komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi projektligjin Projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2019, për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Ilir Bejtja. Z. Enea Karakaci drejtor, znj. Elona Mitrovica drejtoresha e Drejtorisë së Borxhit Publik.

Zëvendësministri Bejtja në prezantim të projektligjit u shpreh se kjo marrëveshje kryhet ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2019 për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës”, me qëllim kontributin në zhvillimin social ekonomik të Republikës së Shqipërisë.

Relatorja e çështjes deputetja Reme Lala tha se në pikëpamjen strategjike, projekti do të ndikojë për përmirësimin e sistemit elektroenergjitik, sepse hidrocentrali i Fierzës përbën njësinë gjeneruese më të rëndësishme të sistemit elektroenergjitik shqiptar.

Pas diskutimeve, projektligji u miratua nga anëtarët e komisionit në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Më tej, komisioni vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal”. Të ftuar ishin z. Ilir Bejtja zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Greta Gjoncaj Përgjegjëse Sektori në Fondin Shqiptar të Zhvillimit etj.

Në fjalën e tij z. Bejtja theksoi se: “Bëhet fjalë për ndërhyrje të lehta në infrastrukturës e brendshme, por edhe në objekte të rëndësisë së veçantë nga pikëpamja e potencialeve turistike apo të zhvillimit ekonomik rajonal, që mbështesin zhvillimin e turizmit.”

Pas komenteve, sugjerimeve e diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Çështja tjetër e rendit të ditës në komision ishte shqyrtimi i projektligjit "Për një ndryshim në ligjin nr.48/2014, “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”. Të ftuar ishin zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë z. Besart Kadia. Z. Saimir Mucmataj drejtor i Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator dhe znj. Arjana Dyrmishi drejtoreshe e Politikave te Zhvillimit Ekonomik.

z. Mucmataj në fjalën e tij vuri në dukje se në ligji për pagesat e vonuara në veprimet juridike tregtare në të cilat debitori është autoritet publik, kur në kontratën e shërbimeve nuk parashikohet në një afat ligjor për kryerjen e pagesës, afati i pagesës nuk mund të jetë më gjatë se 30 ditë, dhe ky afat mund të zgjatet në 60 ditë kalendarike.

Pas diskutimeve, komenteve e sugjerimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Po ashtu, ditën e sotme kryetari i komisionit z. Angjeli hodhi në votim draft-rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit te Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2020 dhe draft-rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Institutit te Statistikave për vitin 2020, ku u miratua me votë nga anëtarët e komisionit.

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës së komunikimit online “Cisco Webex”.


Share