Zhvillohet mbledhja e Task Forcës për implementimin e “E-Legislation”

  • Postuar më, 12/05/2021

?Kuvendi i Shqipërisë vijon punën për implementimin e sistemit të integruar “E-Legislation”, pjesë e projektit “Mbështetje për Parlamentin  dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri” (PACEP), që ka nisur të zbatohet nga prezenca e OSBE në vendin tonë me financim të qeverisë zvicerane.

Për ta bashkërenduar këtë proces, Kuvendi ka krijuar një Task Forcë, në përbërjen e të cilës janë  përfaqësues nga administrata e Kuvendit, qeveria, zyra e Presidentit të Republikës, Ministria e Drejtësisë, Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, Zyra e Ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Fletorja Zyrtare. Në mbledhjen e parë, anëtarët e Task Forcës u njohën me e-Legislation, diskutuan planin e punës, si dhe përgjegjësitë dhe detyrat përkatëse.  Zbatimi i e-Legislation pritet të shtojë efikasitetin dhe rrisë transparencën e procesit legjislativ, duke i përmbledhur dokumentet parlamentare aktuale dhe arkivat parlamentare në një bazë të vetme të dhënash, e cila do të jetë e hapur për publikun.

Kuvendi, me mbështetjen e OSBE, ka vendosur të adoptojë modelin e njohur ndërkombëtar “Akoma Ntoso” për zbatimin e “e-Legislation”, e cili përfaqëson standardet e përbashkëta, që ofrojnë qasje të hapur në dokumentacionin parlamentar dhe lejojnë që Parlamentet të shkëmbejnë informacione në mënyrë më efikase, duke përcaktuar një format të përbashkët për një sërë dokumentesh.

Aktualisht, “Akoma Ntoso” përdoret në Parlamentin Evropian, Senatin Italian, Parlamentin Spanjoll, Parlamentin Anglez, si dhe në disa organizata të tjera ndërkombëtare dhe disa agjenci të Kombeve të Bashkuara.

 


Share