Komisioni i Ligjeve seancë dëgjimore me KQZ, ATP dhe Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, për raportin e veprimtarisë për vitin 2020

  • Postuar më, 07/06/2021

7 qershor 2021

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e Kryetarit z. Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës  zhvilloi 3 seanca dëgjimore për shqyrtimin e raportit të veprimtarisë për vitin 2020 të tre institucioneve të pavarura. Fillimisht anëtarët e komisionit zhvilluan seancë dëgjimore me z.Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve, i cili paraqiti raportin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020, i cili fillimisht u shpreh se veprimtaria e KQZ për vitin 2020 ka qenë e lidhur ngushtë nga/dhe zhvillimet politike në kuadër të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat u finalizuan në tetor të vitit të kaluar. “Veprimtaria e KZQ ishte intensive për përgatitjet e zgjedhjeve të 25 prillit 2021 vetëm pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe pas ripkonfigurimit të këtij institucioni në tetor 2020”, u shpreh z.Celibashi duke theksuar se KQZ në veprimtarinë e saj për vitin 2020 ka mbajtur në vëmendje të gjitha rekomandimet e Kuvendit. Z.Celibashi u shpreh më tej se pjesën më të madhe të veprimtarisë së KQZ për vitin e kaluar e kanë zënë aktet që kanë të bëjnë me dekriminalizimin, si dhe me raportet financiare vjetore të subjekteve politike që morën pjesë në zgjedhjet vendore 2019.  Ndërkohë në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2021, z.Celibashi nënvizoi se pavarësisht kohës së limituar, KQZ arriti të të aplikojë teknologjinë në zgjedhje me identifikimin elektronik të zgjedhësve, vendosjen e kamerave në qendrat e votimit dhe aplikimin e projektit pilot për votimin elektronik. Deputeti Damian Gjiknuri në cilësinë e relatorit të raportit, vlerësoi punën e bërë nga KQZ për përballimin e ngarkesës së krijuar për përgatitjen e zgjedhjeve të prillit 2021, gjatë implementimit të reformës së re zgjedhore. Ndër rekomandimet e sugjeruara nga z.Gjiknuri për punën e KQZ në të ardhmen ishte marrja e masave për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe implementimit të projektit për garantimin e votimit të emigrantëve.  Më tej komisioni zhvilloi seancë dëgjimore me znj.Jonida Baci, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, e cila  raportoi mbi veprimtarinë e këtij institucioni për vitin 2020, duke u ndalur në problematikat,  sfidat e ATP për përmirësimin e mëtejshëm të punës, hapat e ndërmarra nga ATP për zbatimin e rekomandimeve të GJEDNJ,etj. Më pas znj.Baci iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të komisionit. Në fund komisioni zhvilloi seancë dëgjimore me z.Çelo Hoxha, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, i cili raportoi mbi  veprimtarinë e këtij institucioni për vitin 2020.  Z.Hoxha ndër të tjera renditi punën e bërë nga Instituti gjatë vitit 2020 në lidhje me informimin publik mbi krimet e komunizmit përmes rikrijimit të trashëgimisë material të komunizmit, projektet ndërkombëtare të bashkëpunimit si pjesë e rrjetit të Platformës Europiane të Kujtesës; evidentimin e rasteve të reja të persekutimit, dënimeve me burg dhe internim, përmes zgjerimit të databazës dhe numrit të ri të Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Komunizmit, etj.


Share