Deputetja Elona Gjebrea, mori pjesë në Konferencën Rajonale të Zhvillimit

  • Postuar më, 07/06/2021

Deputetja Elona Gjebrea, anëtare e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe anëtare e Byrosë së AP të OSBE, mori pjesë në Konferencën Rajonale të Zhvillimit, të organizuar në Patras, Greqi, e cila shërben si një platformë publike për dialog midis përfaqësuesve qeveritarë, rajonalë, akademikë dhe biznesit.  Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte adresimi i sfidave, praktikave më të mira dhe politikave të promovuara nga institucionet evropiane në mënyrë që të nxisin Zhvillimin Rajonal.

Znj. Gjebrea gjatë fjalës së saj në këtë konferencë, si përfaqësuese e parlamentit shqiptar, foli rreth modelit të zhvillimit ku faktorët ekonomikë, socialë, mjedisorë dhe të shëndetit publik duhet konsiderohen dhe balancohen siç duhet.

Ndër të tjera znj.Gjebrea theksoi se: “ne të gjithë kemi një interes në përgjigjen ndaj temave urgjente si transformimi dixhital, ndryshimi i klimës, degradimi i mjedisit, COVID-19 dhe shëndeti publik, të cilat ndikojnë në nivelin lokal.  Përveç kësaj, pandemia ka përsëritur nevojën për iniciativa dhe ndihmë rajonale të rimëkëmbjes”.

Gjatë kësaj konference Znj.Gjebrea solli edhe përvojën e Shqipërisë dhe vuri theksin në një strategji zhvillimi më të ekuilibruar dhe më largpamëse - një strategji për t'iu përgjigjur në mënyrë adekuate nevojave në rritje të zhvillimit dhe kjo duke zgjeruar bashkëpunimin shumëpalësh si mënyrën e vetme për të adresuar në mënyrë efektive rritjen rajonale dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për të gjithë qytetarët.


Share