Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi një projektligj

  • Postuar më, 10/06/2021

10 qershor 2021


Komisioni për Politikën e Jashtme, në drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, miratoi në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane për projektin “Aftësi për punë” faza 2, 2019-2023”.

E pranishme në komision për paraqitjen e këtij projektligji ishte zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Dajna Sorensen. Zëvendësministrja Sorensen u shpreh se projektligji synon të zbatojë fazën e dytë të projektit “Aftësi për punë”, pas përmbushjes me sukses të fazës së parë, e zhvilluar përgjatë periudhës kohore 2015-2019, duke mbështetur 6 ofrues të arsimit profesional në Shqiperi. Faza e dytë e shtrin projektin në 10 institucione përfituese, në mënyrë të drejtpërdrejtë nga projekti. Sipas zëvendësministres, kjo është një ndërhyrje tipike e qeverisë zvicerane dhe se në këtë drejtim Zvicra mbetet partneri më i madh në lidhje me zhvillimin e aftësive. Projekti, përbëhet nga disa shtylla themelore: marrëdhënia me punëdhënësit dhe partnerët nga ofruesi i arsimit institucional, diversifikimi i ofertës në qendrat shumëfunksionale të arsimit profesional, futja e mënyrave të reja të të nxënit gjithëpërfshirës dhe cilësor gjatë fazës së dytë të këtij projekti dhe nxënia e bazuar në punë. Relatorja e projektligjit për komisionin, znj. Eglantina Gjermeni dha mbështetjen e saj duke theksuar falënderimet e rastit për qeverinë zvicerane për mbështetjen e vijuar prej tri dekadash në programe të tilla.

Në vijim të masave protokollare anticovid, mbledhja u zhvillua përmes platformës elektronike CISCO WEBEX. 


Share