Zëvendëspresidentja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, znj. Mimi Kodheli, përshëndeti Konferencën e organizuar nga Qendra e Gjenevës për Sektorin e Sigurisë dhe Qeverisjen me rastin e publikimit të librit “Mbikëqyrja parlamentare e inteligjences ushtarake”

  • Postuar më, 10/06/2021

 

10 qershor 2021

 

Sot, kryetarja e komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli, në cilësinë e Zëvendëspresidentes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Qendra e Gjenevës për Sektorin e Sigurisë dhe Qeverisjen (DCAF) me rastin e publikimit të librit “Mbikqyrja parlamentare e inteligjencës ushtarake”.

Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Kodheli, në emër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përgëzoi autorët e librit duke e cilësuar atë si një shembull të vyer dhe frut të partneritetit bashkëpunues me DCAF. Si përfaqësues të zgjedhur nga populi, ne parlamentarët kemi rolin dhe përgjegjësinë e veçantë të sigurojmë zbatimin e plotë dhe efektiv të mbikqyrjes të shërbimeve inteligjente ushtarake në mënyrë jo-partizane, demokratike por edhe duke ruajtur aspektin e tyre konfidencial.

Duke theksuar rëndësinë që Shqipëria, si anëtare e NATO-s, i jep vlerave dhe parimeve demokratike, znj Kodheli nënvizoi se, në këtë kuadër, mbikqyrja dhe kontrolli demokratik parlamentar mbi çështjet e sigurisë dhe politikat e mbrojtjes sikurse dhe mbi Forcat e Armatosura (përfshirë dhe inteligjencën ushtarake) është e garantuar nga Kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar. Më tej znj. Kodheli bëri një prezantim të mekanizmave parlamentare dhe praktikave të ndjekura nga Parlamenti shqiptar në ushtrimin e këtij kontrolli.

 


Share