Aleanca e Grave Deputete merr pjesë online në Konferencën Rajonale të Grave Parlamentare të Evropës Juglindore

  • Postuar më, 14/06/2021

14 qershor 2021

Aleanca e Grave Deputete mori pjesë ditën e sotme në Konferencën Rajonale të Grave Parlamentare të Evropës Jug Lindore. Tema e kësaj konference ishte “Roli i parlamenteve në avancimin e barazisë gjinore dhe grave në politikë”. Konferenca u nda në tre sesioni diskutimi. Në sesionin e parë të saj pjesëmarrësit diskutuan për legjislacionin dhe parlamentet e ndjeshme gjinore si dhe praktikat e mira dhe mësimet e nxjerra. Në këtë sesion, Nënkryetarja e Kuvendit znj. Vasilika Hysi në fjalën e saj theksoi se “Shqipëria është një ndër 10 vendet më të mira në botë për barazinë gjinore jo vetëm për numrin e deputeteve në Parlament por edhe për shkak të përfaqësimit të grave në Qeveri, në këshillat bashkiake dhe nivelet e larta të administratës.” Gjithashtu ajo prezantoi disa nga mësimet e praktikat e mira të Kuvendit të tilla si: miratimi i Kodit të Sjelljes së Deputetëve, krijimi i strukturave të dedikuara për çështjet gjinore, drejtimi i tre nën komisioneve parlamentare nga gra etj. Në fjalën e saj, znj. Hysi evidentoi edhe rolin e Aleancës së Grave Deputete dhe Nënkomisionit Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas në organizimin e një aktiviteteve në kuadër të Programit të Veprimit me Ndjeshmëri Gjinore. Ajo vlerësoi se legjislacioni është përmirësuar ndjeshëm por duhet të forcohet mbikëqyrja si dhe duhet të rritet sinergjia mes mekanizmave ekzistues në Kuvend.



Share